17 Milionët e Ndihmës Gjermane për Kosovën

Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadorja gjermane në Kosovë Angelika Viets nënshkruan sot një marrëveshje për bashkëpunim financiar për vitin 2015 ndërmjet Qeverisë së Gjermanisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Ministri Hoti tha se me marrëveshjen e nënshkruar sot rritet kontributi financiar dhe teknik i Qeverisë Gjermane për Kosovën.

“Sot nënshkruajmë marrëveshjen për subvencione për përmirësimin e sistemit të ngrohjes komunale për Komunën e Prishtinës një kontribut prej 5 milionë euro një projekt tjetër në vlerë prej 8 milionë euro për shkarkimin e ujërave të zeza në komunat e Pejës, Gjakovës, dhe Prizrenit dhe një projekt tjetër për menaxhimin e mbeturinave që është në vlerë prej 4 milion euro,” tha Hoti.

Ai tha se investimet në këto fusha janë të mirëseardhura për shkak të kufizimeve që i ka Qeveria për të investuar nga buxheti i shtetit.

Ambasadorja Viets tha se deri më tani Gjermania ka përkrahur Kosovën me mbi 500 milionë euro.

“Ne sot po nënshkruajmë grante për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirojmë të përkrahim perspektivat për vendin me këto masa,” tha Viets.

Ajo tha se shpresoj që shumë shpejt të nënshkruhet edhe marrëveshja për bashkëpunim teknik.