Studimi - Kafeina në gjak mund të ndikojë në rrezikun e dhjamit në trup dhe diabetit

Nivelet e kafeinës në gjak mund të ndikojnë në sasinë e yndyrës trupore që një person e mban, një faktor që nga ana tjetër mund të përcaktojë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Këto janë gjetjet e një studimi të vitit 2023 që përdori shënues gjenetikë për të vendosur një lidhje më përfundimtare midis niveleve të kafeinës, BMI-së dhe rrezikut të diabetit të tipit 2.

Ekipi hulumtues, nga Instituti Karolinska në Suedi, Universiteti i Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Imperial College London në Mbretërinë e Bashkuar, tha se pijet me kafeinë pa kalori mund të eksplorohen si një mjet i mundshëm për të ndihmuar në uljen e niveleve të yndyrës në trup.

“Përqendrimet më të larta të kafeinës në plazmën e parashikuar gjenetikisht u shoqëruan me BMI më të ulët dhe masën e yndyrës në të gjithë trupin”- shkruan studiuesit në punimin e tyre, të botuar në mars të vitit 2023.

“Për më tepër, përqendrimet më të larta të kafeinës në plazmë të parashikuara gjenetikisht u shoqëruan me një rrezik më të ulët të diabetit të tipit 2. Përafërsisht gjysma e efektit të kafeinës në rrezikun e diabetit të tipit 2 u vlerësua të ndërmjetësohej përmes reduktimit të BMI”.

Studimi përfshiu të dhëna nga pak më pak se 10,000 njerëz të mbledhur nga bazat e të dhënave gjenetike ekzistuese, duke u fokusuar në variacionet në ose afër gjeneve specifike që dihet se lidhen me shpejtësinë me të cilën shpërbëhet kafeina.

Në përgjithësi, ata me variacione që prekin gjenet – d.m.th. CYP1A2 dhe një gjen që e rregullon atë, i quajtur AHR – priren ta shpërbëjnë kafeinën më ngadalë, duke e lejuar atë të qëndrojë në gjak më gjatë. Megjithatë, ata gjithashtu priren të pinë më pak kafeinë në përgjithësi.

Një qasje e quajtur randomizimi apo rastësia Mendelian u përdor për t’i përcaktuar marrëdhëniet e mundshme shkakësore midis pranisë së variacioneve, sëmundjeve si diabeti, masa e trupit dhe faktorët e stilit të jetesës.

Ndërsa kishte një lidhje të rëndësishme midis niveleve të kafeinës, BMI-së dhe rrezikut të diabetit të tipit 2, nuk u shfaq asnjë lidhje midis sasisë së kafeinës në gjak dhe sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë fibrilacionin atrial, dështimin e zemrës dhe goditjen në tru.

Studimet e mëparshme kanë lidhur një rritje të moderuar dhe relative të konsumit të kafeinës me një shëndet më të mirë të zemrës dhe një BMI më të ulët, dhe hulumtimi i ri shton më shumë detaje në atë që dimë tashmë për efektet që ka kafeja në trup.

Është e rëndësishme të mbani në mend gjithashtu se efektet e kafeinës në trup nuk janë të gjitha pozitive, që do të thotë se duhet pasur kujdes kur vlerësohen përfitimet e pirjes së saj – por ky studim i fundit është një hap i rëndësishëm në vlerësimin se sa kafeinë është ideale. 

“Sprovat e vogla dhe afatshkurtra kanë treguar se marrja e kafeinës rezulton në uljen e peshës dhe masës së yndyrës, por efektet afatgjata të marrjes së kafeinës janë të panjohura”- shpjeguan studiuesit.

Ekipi mendon se lidhja e treguar këtu mund të jetë për shkak të mënyrës se si kafeina e rrit termogjenezën (prodhimin e nxehtësisë) dhe oksidimin e yndyrës (duke e kthyer yndyrën në energji) në trup, të cilat të dyja luajnë një rol të rëndësishëm në metabolizmin e përgjithshëm.

Megjithatë, do të nevojiten më shumë kërkime për ta konfirmuar shkakun dhe efektin. Ndërkohë që ky studim përfshiu një mostër të madhe, randomizimi apo rastësia Mendelian nuk është e pagabueshme dhe është ende e mundur që faktorë të tjerë të jenë në lojë që nuk janë marrë parasysh në këtë studim.

“Duke marrë parasysh marrjen e gjerë të kafeinës në mbarë botën, edhe efektet e saj të vogla metabolike mund të kenë implikime të rëndësishme shëndetësore”- shkruajnë studiuesit./Science Alert

Studimi i lartcekur është publikuar në BMJ Medicine.

Përgatiti: Nuhi Shala