Kafeina mund ta ketë një efekt befasues në aftësinë e trurit për të mësuar

Marrja e një sasie serioze të kafeinës çdo ditë mund ta frenojë aftësinë e trurit për ta rilidhur veten, sipas një analize të dy studimeve të vogla ndonëse intriguese.

Studiuesit nga Institucioni Kërkimor i Neuromodulimit në Spitalin Butler në Providence, Rhode Island, i analizuan sinjalet e trurit të lidhura me të mësuarit dhe qëndrimin e të kujtuarit në 20 individë, duke zbuluar detaje befasuese dhe supozime sfiduese se kafeina promovon plasticitetin.

“Këto të dhëna paraprake nxjerrin në pah nevojën për t’i testuar drejtpërdrejt efektet e kafeinës në studimet e ardhshme të fuqizuara mirë, sepse në teori, ato sugjerojnë se përdorimi kronik i kafeinës mund ta kufizojë të mësuarit ose plasticitetin,” thonë studiuesit në punimin e tyre të botuar në Frontiers in Psychiatry.

Falë aftësisë së saj për ta bllokuar adenozinën, një kimikat sinjalizues në tru që na ndihmon të ndihemi të përgjumur në kohën e duhur, kafeina ka një reputacion për të na dhënë një nxitje vigjilence.

Adenozina gjithashtu ndikon në një proces të quajtur fuqizimi afatgjatë (LTP), i cili në terma të thjeshtë është se si qelizat neurone në tru i forcojnë lidhjet mes tyre – që mendohet të jetë vendimtare në trurin që merr informacione të reja dhe përshtatet me kalimin e kohës.

Gjithsej 16 njerëz që konsumonin nga një deri në pesë pije me kafeinë në ditë dhe katër persona që mezi e preknin kafeinën iu nënshtruan një procesi stimulimi të trurit të krijuar për ta imituar gatishmërinë për të mësuar në tru, i  quajtur stimulim magnetik i përsëritur transkranial ose TMS.

Ekipi më pas kërkoi shenja të impulseve elektrike në sistemin nervor si një mënyrë për ta matur LTP. Tek ata që nuk pinin pije me kafeinë, këto efekte LTP dukeshin të ishin dukshëm më të forta.

Sipas studiuesve, stimulimi i rregullt nga kafeina mund të shkaktojë një efekt kundërveprues në tru, gjë që mund t’i shpjegojë nivelet më të ulëta të plasticitetit – por kjo është vetëm një hipotezë për momentin.

Vetëm 20 persona kanë marrë pjesë në këtë hulumtim, dhe ndarja kafeinë/jo-kafeinë ishte shumë e peshuar. Rishikimi u mbështet gjithashtu në dozat e vetë-raportuara të kafeinës, që do të thotë se studiuesit nuk mund të dinë se si doza të ndryshme të pijeve me kafeinë në të vërtetë ndikojnë në fuqizimin afatgjatë.

Kësisoji, rishikimi ishte një hetim pilot që kishte si qëllim t’i informonte hipotezat e ardhshme. Studiuesit synojnë të hetojnë më tej me studime të sakta dhe të kontrolluara mirë në të ardhmen ku koha e marrjes së kafeinës dhe doza e saj rregullohen rreptësisht përpara testimit. Kjo, thonë autorët, do të jepte “një vlerësim më të mirë të disponueshmërisë bio të sistemit nervor qendror dhe korrelacionit me përgjigjet e plasticitetit”.

Marrëdhënia midis kafeinës dhe shëndetit është tashmë mjaft e ndërlikuar: është treguar se ka efekte pozitive dhe negative në hulumtimet e mëparshme, nga mbrojtja potenciale kundër demencës apo harresës deri te ndoshta rritja e rrezikut të diabetit.

“Një kuptim më i mirë se si kafeina e ndryshon mekanizmin themelor të të mësuarit dhe kujtesës, si dhe ndikimin e mundshëm të kafeinës në efektet klinike rTMS, meriton vëmendje të mëtejshme”- shkruajnë studiuesit e studimit të lartcekur./Science Alert

Përgatiti: Nuhi Shala