A lonely depressed person sitting near a brick wall with the Bible on his lap
Pse njerëzit në mbarë botën janë më të pakënaqur dhe më të stresuar se asnjëherë më parë?
Bota ishte më e trishtuar dhe më e stresuar në vitin 2021 se kurrë më parë, sipas një sondazhi të fundit të Gallup, i cili zbuloi se katër në 10 të rritur në mbarë botën thanë se përjetonin shumë shqetësime ose stres.
Ekspertët thonë se fajtori më i dukshëm, pandemia – dhe izolimi dhe pasiguria që erdhi me të – është një faktor, por jo plotësisht fajtori kryesor.
Carol Graham, shkencëtare e lartë e Gallup, thotë se fajtori për rënien e shëndetit mendor përfshin pasigurinë ekonomike me të cilën përballen punëtorët me kualifikim të ulët.
“Ka disa ndryshime strukturore negative që i bëjnë disa njerëz, në veçanti, më të cenueshëm. Dhe në fund, shëndeti mendor vetëm e reflekton këtë”, thotë Graham, e cila është gjithashtu bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings dhe profesoreshë e politikave publike në Universitetin e Maryland.
“Për të rinjtë që nuk kanë nivele të mira arsimore, ajo që do të bëjnë në të ardhmen është shumë e panjohur. Si do të jetë stabiliteti i tyre, si do të jetë pjesëmarrja e tyre në fuqinë punëtore. … Rritja e niveleve të pabarazisë midis punëtorëve të kualifikuar dhe të pakualifikuar është një pjesë tjetër e saj, që ka të bëjë me rritjen e udhëhequr nga teknologjia.”
Gallup ka kontaktuar me respondents të rritur në 122 vende dhe zona për Raportin e tij të fundit të Emocioneve Globale. Afganistani është vendi më i pakënaqur, me afganët që zënë vendin e parë në botë kur bëhet fjalë për përvojat negative.
Në përgjithësi, rezultatet e sondazhit nuk ishin befasuese për psikologun Josh Briley, një bashkëpunëtor në Institutin Amerikan të Stresit.
“Gjërat po ecin më shpejt. Ka kaq shumë informacione që na servohen gjatë gjithë kohës,” thotë ai. “Dhe sigurisht, mediat lulëzojnë nga gjërat e këqija. Pra, ne po bombardohemi vazhdimisht me krizë pas krize në lajme, në mediat sociale, në radio dhe në podkastet tona. Dhe e gjithë kjo po i ngulfat gjërat e mira që po ndodhin.”
Psikologia Mary Karapetian Alvord thotë se të qenit më i lidhur në internet do të thotë që njerëzit në një vend mund të ndjehen thellësisht të prekur nga ajo që ndodh në një vend tjetër, gjë që nuk ishte gjithmonë rasti në të kaluarën. Për klientët e saj në SHBA, pasiguria është stresi më i madh.
“Pasiguria e jetës dhe si do të ndikojë kjo pasiguri në baza ditore. Çmimet po rriten dhe gazi po rritet. Dhe më pas çështjet e zinxhirit të furnizimit që po ndikojnë tek njerëzit në jetën e tyre të përditshme”, thotë Alvord. “Por unë mendoj se çështja më e madhe është pasiguria dhe aq shumë vuajtje që po ndodh kudo. Sigurisht, të shtënat me armë kanë shënuar rritje. Shumë njerëz janë me të vërtetë të stresuar dhe ndihen sikur “Ku është ai vend i sigurt?”
Ka pasur më shumë se 300 të shtëna me viktima të shumta në Shtetet e Bashkuara deri më tani në vitin 2022.
Lumturia në mbarë botën ka qenë në rënie për një dekadë, sipas Gallup. Të tre psikologët i përcaktojnë mediat sociale dhe vërshimin e informacionit të pafiltruar si kontribues në rënien e shëndetit mendor dhe lumturisë.
“Ne e kemi parë këtë lloj shpërthimi në mbarë botën dhe mendoj se ky është një lloj ndryshimi i madh tektonik në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë dhe përjetojnë emocione dhe të gjitha llojet e gjërave. Dhe po shohim se ka disa anë të vërteta negative në të,” thotë Graham.
Briley thotë një pjesë e problemit ka të bëjë me faktin se megjithëse njerëzit janë më të lidhur në internet, ata shpesh janë më pak të lidhur në jetën reale.
“Lidhja që kemi me njerëzit, lidhja fizike ka ndryshuar. Ne jemi më të lidhur se kurrë më parë me njerëzit në mbarë botën, por mund të mos i dimë më emrat e fqinjëve tanë,”
Më shumë optimizëm, pavarësisht nga paknaqësia
Në anën tjetër, sondazhi zbuloi se përqindja e njerëzve që raportuan se ndjeheshit të buzëqeshur shumë u rrit me dy pikë në vitin 2021, ndërsa numri i njerëzve që thonë se mësuan diçka interesante u rrit një pikë. Alvord thotë se shikimi përtej negativitetit është tejet me rëndësi për ruajtjen e shëndetit mendor.
“Është e rëndësishme që njerëzit të gjejnë momente, nëse jo gëzimi, të paktën kënaqësie në jetë,” thotë ajo. “Unë mendoj se ndonjëherë ne e arrijmë lumturinë dhe kjo thjesht nuk është e arritshme … dhe kështu, pritjet tona duhet të jenë realiste.”
Pakicat në Shtetet e Bashkuara tashmë mund ta bëjnë këtë. Sondazhi zbuloi se njerëzit nga grupet e margjinalizuara janë ndër më rezistentët.
“Ankthi i tyre mund të jetë rritur, por optimizmi i tyre, veçanërisht për afrikano-amerikanët me të ardhura të ulëta, mbetet shumë i lartë,” thotë Graham. “Ishte një zbulim që e kam parë prej shumë vitesh, por më befasoi që edhe gjatë COVID-it, mbeti i njëjtë. Mendoj se kjo është më shumë për shkak të llojit të lidhjeve të komunitetit dhe lidhjeve të tjera të cilat i kanë krijuar komunitetet pakicë, rrjete sigurie pothuajse joformale, që kanë qenë mbrojtëse shumë herë përgjatë historisë.”/VoA