Pse konsumi i kafesë e shkakton jashtëqitjen?

Për disa njerëz, përveç që iu jep energji, kafeja u shkakton atyre edhe jashtëqitjen.

Pavarësisht popullaritetit të pijes, nuk ka shumë kërkime se pse kafeja i bën shumë njerëz të vrapojnë drejt tualetit brenda disa minutave nga konsumimi i saj.

“Në disa raste, si me kafen dhe lëvizjet e zorrëve, ka të ngjarë që thjesht nuk ka pasur kërkesë mjekësore për ta merituar një hetim serioz,” thotë përmes emailit Dr. Kyle Staller, drejtor i Laboratorit të Lëvizjes Gastrointestinale në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts.

“Mund të jetë gjithashtu një rast i qartë, që do të thotë se nuk duhen studime të shumta për ta kuptuar se kafeja nxit lëvizjet e zorrëve kur është pjesë e jetës së përditshme të shumë njerëzve”.

Thjesht mund të ketë diçka të veçantë për kafenë dhe hulumtimi që ekziston vërteton “që pacientët kanë të drejtë”, tha Staller, gjithashtu një asistent profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit. Disa studime të vogla kanë treguar se konsumi i kafesë ishte më efektiv se uji i ngrohtë në nxitjen e lëvizjeve të zorrëve – që nënkupton se “uji është një pjesë integrale e tretjes normale me sasi të mëdha që çlirohen dhe ripërthithen nga trakti juaj tretës çdo ditë,” shtoi ai.

Kjo sigurisht nuk do të thotë se konsumimi i mjaftueshëm e ujit nuk është thelbësor për shëndetin tuaj të përgjithshëm. “Rreth 60% e trupit tuaj përbëhet nga uji,” tha Jerlyn Jones, dietologe e regjistruar dhe zëdhënëse e Akademisë së Ushqyerjes dhe Dietologjisë, përmes emailit.

Dhe nëse kafeja ka kafeinë apo është pa kafeinë nuk duket se ka rëndësi në të gjitha studimet, sipas hulumtimeve të tjera – duke sugjeruar se, në disa raste, komponimet e kafesë përveç kafeinës mund të jenë përgjegjëse për lëvizjet e papritura të zorrëve.

Identitetet e këtyre përbërjeve dhe mënyra se si ato mund të ndërveprojnë me traktin tretës janë ende të panjohura, por ja çfarë kanë zbuluar studiuesit deri më tani.

Kafja mund të shkaktojë kontraktime të zorrës së trashë

Zorra e trashë përjeton tri lloje kontraktimesh që punojnë së bashku për të përzier, gatuar dhe në fund nxjerrë jashtëqitjen. Shfaqja, koha dhe shpeshtësia e këtyre kontraktimeve ndikohen nga faktorë muskulorë, nervorë dhe kimikë.

Kafeja mund të stimulojë këtë aktivitet motorik të zorrës së trashë brenda disa minutave nga konsumimi i saj, bazuar në hulumtimet e kufizuara të disponueshme, tha Staller. Dymbëdhjetë njerëz të shëndetshëm e përjetuan këtë aktivitet gjatë një studimi të vitit 1998, kur ata ranë dakord të vendosnin një sondë sensor në zorrën e trashë. Gjatë një periudhe 10-orëshe të nesërmen, pjesëmarrësit konsumuan kafe të ngrohtë, kafe pa kafeinë, ujë ose një vakt në mënyrë të rastësishme. Të dy llojet e kafesë dhe një vakt shkaktuan më shumë kontraktime dhe presion të zorrës së trashë, krahasuar me ujin. Kafeja me kafeinë ishte 60% më efektive se uji në stimulimin e aktivitetit motorik të zorrës së trashë dhe 23% më e efektshme se kafeja pa kafeinë.

Shumë pjesëmarrës të një studimi tjetër thanë se konusmimi i kafesë u dha atyre dëshirën për jashtëqitje dhe më pas kaluan një test të ngjashëm. Aktiviteti i tyre i zorrës së trashë u rrit brenda katër minutave nga pirja e kafesë së zezë pa sheqer, një efekt që zgjati të paktën 30 minuta.

Këto rezultate ka të ngjarë të nënkuptojnë se kafeja nuk është drejtpërdrejt në kontakt me rreshtimin e zorrës së trashë, por përkundrazi e prek atë përmes një “mekanizmi gastrokolik”, tha Staller – që do të thotë se kontakti i kafesë “me shtresën e brendshme të stomakut shkakton ose një sistem nervor ose një përgjigje hormonale që shkakton fillimin e zorrës së trashë kontraktuese”, tha ai. “Kontraksionet e zorrës së trashë e lëvizin jashtëqitjen në zorrën e trashë drejt rektumit dhe sa qel e mshel sytë ju vie dëshira për jashtëqitje.”

Melanoidinat – komponimet e formuara gjatë pjekjes së kafesë – kanë fibra dietike, të cilat e ndihmojnë tretjen dhe parandalojnë kapsllëkun, tha Jones.

Kafeja ndikon në hormonet dhe acidin e stomakut

Kafeja duket se e stimulon gjithashtu lirimin e hormonit gastrinë, tha Staller, i cili e mundëson prodhimin e acidit gastrik (acidit të stomakut). Acidi gastrik ndihmon në tretjen e ushqimit dhe mund ta nxisë aktivitetin e zorrës së trashë. Studiuesit zbuluan në vitin 1986 se pirja e kafesë me kafeinë apo pa kafeinë ndikoi shpejt dhe ndjeshëm nivelet e gastrinës.

Pasi kishin agjëruar gjatë natës, burrat në një studim të vogël të vitit 2009 konsumuan ose një vakt ushqimi dhe kafe të zezë, ose thjesht një vakt ushqimi. Pirja e kafesë e përshpejtoi ndjeshëm kohën që duhej që ushqimi të dilte nga stomaku dhe të hynte në zorrën e hollë pas ushqimit.

“Disa përbërës në kafe mund të ndërveprojnë gjithashtu me receptorët opioidë në traktin gastrointestinal”, të cilët ndikojnë në funksionin e zorrëve, shtoi Staller.

Produktet e qumshtit dhe shëndeti i tretjes

Nëse jeni intolerant ndaj laktozës, por ende e shijoni kremin e qumështit me pak kafe, kremi mund të jetë fajtori pas çdo nxitjeje të papritur për jashtëqitje.

“Një mënyrë për ta zbuluar se çfarë ju shkakton të shkoni në tualet është ta pini kafe pa krem qumështi ose qumësht dhe t’i gjurmoni simptomat tuaja për disa ditë”, tha Jones.

Ndërsa kërkimet sugjerojnë disa përfitime tretëse të pirjes së kafesë, a duhet të jetë kafeja e rregullt e mëngjesit ajo që përdorni për të qëndruar i rregullt? Nëse jeni kaps, të pini kafe për të ndihmuar në lëvizjen e gjërave nuk është e paarsyeshme, tha Staller.

“Por mos u mbështetni në të për t’i lëvizur zorrët,” tha Jones. “Flisni me mjekun tuaj nëse keni probleme për të shkuar rregullisht në tualet.”

Jones rekomandoi rritjen e ngadalshmetë fibrave dietike “me fruta, perime, drithëra, fasule, arra dhe fara”. “I rrituri mesatar amerikan konsumon vetëm 12 deri në 14 gram fibra në ditë dhe Udhëzimet dietike 2020-2025 për Amerikanët rekomandojnë 25 deri në 30 gram fibra në ditë për të rriturit.”

Njerëzit të prirur për të pasur lëvizje të lirshme ose urgjente të zorrëve “mund të kenë dëshirë ta marrin në konsideratë se kafeja mund të jetë gjithashtu një shkas për ato ngjarje të pakëndshme,” tha Staller./CNN