Festivali i kafesë si simbol i nxitjes së fqinjësisë në qytetin e ndarë të Mitrovicës - Pamje

Përmes festivalit të kafesë, u inkurajua nxitja e fqinjësisë mes komuniteteve në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Të enjten afër Urës së Ibrit, e cila ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore dhe jugore, qytetarë të shumtë janë mbledhur në festivalin e kafesë.

100 kuponë kafeje u shpërndanë falas nga ora 10:00 nëpër shtëpiza të vogla prej druri të vendosura në të gjithë zonën ku pjesëmarrësit morën shërbimin.

Përveç kafesë, sipas Community Building Mitrovica, CBM, një nga organizatorët e festivalit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë performanca muzikore live nga grupe të ndryshme dhe DJ nga të gjitha komunitetet e qytetit të Mitrovicës.

Festivali i Kafesë përfshiu edhe një kënd arti dhe artizanati me lojëra të ndryshme dhe arte pamore, në të cilat të gjithë kishin mundësinë të përfshiheshin.

Kjo ngjarje është pjesë e Aktivitetit të Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve, i zbatuar nga Community Building Mitrovica dhe partnerët nga Iniciativa e Re Sociale dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), dhe e mbështetur nga populli amerikan përmes USAID-it në Kosovë.

Pas luftës në Kosovë, Mitrovica u nda në pjesën jugore dhe veriore. Mitrovica e Jugut është e banuar me shumicë shqiptare dhe veriu me shumicë serbe.

Tash e dy dekada institucione dhe organizata të ndryshme po punojnë për integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës, e cila është thellësisht e ndarë pas luftës së vitit 1999.

Ura mbi lumin Ibër vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike mes shqiptarëve dhe serbëve.

Festivali i pirjes së kafesë në Mitrovicë
Festivali i pirjes së kafesë në Mitrovicë