Pejë, nëntë pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Në Spitalin Rajonal të Pejës aktualisht janë duke u trajtuar 67 pacientë me coronavirus, 56 janë me oksigjeno – terapi, nëntë prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se dje në komunën e Pejës janë shënuar gjashtë raste të reja me coronavirus, në nivel vendi janë regjistruar 637 raste, ndërsa 104 të tjerë janë shpallur të shëruar.

COVID-19 ka prekur 24,792 qytetarë të Kosovës, 16,226 prej tyre janë shëruar, ndërsa deri më tani janë shënuar 768 viktima.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.