Një lloj i rrallë kanceri ia ndryshoi theksin një pacienti amerikan, foli krejtësisht ndryshe gjatë gjithë jetës së tij

Literatura mjekësore deri tani ka njohur vetëm dy raste në të cilat tumoret shkaktojnë një sindromë të pazakontë që ndryshon të folurit e pacientit. Tani është publikuar një studim i ri që zbulon rastin e tretë të tillë, i cili është në të njëjtën kohë unik sepse është i pari shkaktar i të cilit është një formë e rrallë e kancerit të prostatës.

Një burrë amerikan rreth të 50-ave ka filluar papritmas të flasë me një theks që tingëllon tepër irlandez dhe një formë e rrallë e kancerit të prostatës është përgjegjëse për ndryshimin. Ekzistojnë vetëm dy raporte të tjera në literaturën mjekësore për kanceret që shkaktojnë sindromën e theksit të huaj. Ky rast i fundit është i pari i këtij lloji që lidhet me kancerin e prostatës.

Sindroma e theksit të huaj është një çrregullim i pazakontë i të folurit që mund të bëjë që një person të fillojë papritmas të flasë me një theks ‘të huaj’ pa ndonjë arsye të njohur, me ndryshime në shqiptim në mënyra që i ngjajnë, të paktën sipërfaqësisht, ritmit të një dialekti ose gjuhe tjetër. Sindroma shoqërohet më shpesh me goditje në tru ose lëndime traumatike të trurit.

Rastet më të njohura

Rasti më i njohur i kësaj sindrome është ai i një gruaje norvegjeze të vitit 1941, e cila pësoi një lëndim në kokë gjatë bombardimeve të Oslos. Disa muaj më vonë, ajo filloi të fliste me atë që dukej si një theks gjerman.

Ka shembuj më të fundit, njëri prej të cilëve u bë lajm vetëm pak vite më parë, kur një grua nga Arizona u zgjua duke folur si “Mary Poppins”. Në rastin e saj, shkaku i sindromës nuk ishte i qartë.

Kur bëhet fjalë për rastet që padyshim lidhen me një lloj tumori, ato janë shumë më të rralla dhe siç u cek më sipër, në literaturën shkencore ka vetëm dy raste të tilla.

Dy rastet e mbetura të vetme janë shkaktuar nga tumoret

Sipas një studimi të botuar në vitin 2008, një grua në të 60-at filloi të fliste me një theks të ndryshëm dhe të paqartë pasi kanceri i gjirit u përhap në trurin e saj. Në një rast të ngjashëm, një grua italiane rreth të 50-ave me një tumor në tru, papritur filloi të fliste me një ritëm dhe melodi të ndryshme.

Pavarësisht vëmendjes që i kushtohet historive të njerëzve që zhvillojnë papritur një theks të veçantë të huaj, shumica e rasteve të sindromës së theksit të huaj janë ndryshime të përgjithshme në prodhimin e të folurit, të cilat nuk mund të ndërlidhen menjëherë me ndonjë zonë të caktuar gjeografike.

Ndryshimi 20 muaj pas diagnozës

Rasti i fundit i burrit të lartpërmendur nga SHBA, i cili u diagnostikua me kancer në prostatë, është një shembull i rrallë i ndryshimit të zërit që ngjan shumë me një theks të njohur. Burri nuk ishte me origjinë irlandeze dhe nuk kishte qenë kurrë në Irlandë, por vetëm 20 muaj pasi u diagnostikua me kancer të prostatës metastatike të ndjeshme ndaj hormoneve, ai filloi të fliste me një theks irlandez jugor.

Ndryshe nga rastet e mëparshme, burri amerikan fillimisht nuk kishte ndonjë tumor të dukshëm të trurit, megjithëse disa simptoma iu shfaqën ndërkohë që sëmundja përparonte. Duke e pasur parasysh kohën, mjekët dyshojnë se sindroma e theksit të huaj të pacientit ishte rezultat i një çrregullimi të rrallë neurologjik paraneoplastik (PND). PND ndodh kur kanceri jashtë trurit shkakton një përgjigje imune që mund të ndikojë në sistemin nervor nga larg.

Efekti gjatë gjithë jetës

Pavarësisht kimioterapisë dhe rrezatimit, kanceri i pacientit vazhdoi të përparonte me shpejtësi, duke e gjymtuar gradualisht trupin e tij dhe, për fat të keq, duke i dhënë fund jetës së tij. Burri fatkeq, megjithatë, e ruajti theksin e tij irlandez deri në fund të jetës.

Ky prezantim i pazakontë e vë theksin tek rëndësia e literaturës shtesë mbi sindromën e theksit të huaj dhe PND të lidhur me kancerin e prostatës për të përmirësuar të kuptuarit e lidhjeve midis këtyre sindromave të rralla dhe trajektores klinike, shkruajnë autorët e studimit, i cili është publikuar në revistën shkencore BMJ Case Reports./ Science Alert

 

Përgatiti: Nuhi Shala