Në QKUK, Klinika që shëron coronavirusin nuk ka sapunë në banjo

Brenda ditës, nëpër njoftime, institucionet shëndetësore njoftojnë se janë duke testuar katër deri në pesë pacientë për virusin e rrezikshëm coronavirus.

Masat mbrojtëse për virusin i cili shpërndahet në mungesë të pastërtisë dhe kontakteve me të infektuarit rekomandojnë që të përdoret sapun dhe dezinfektues.

Gazetarja e KALLXO.com ka vizituar banjon e klinikës Infektive dhe duke përdoru kamerën e fshehur ka testuar nëse në ato ambiente ka dezinfektues dhe sapun.

Siç shihet në pamje në banjo, kavanozat për sapunë janë të zbrazura ndërsa në hapësirën e WC nuk ka letër tualeti.

Brenda hapësirës nuk ka as dezinfektues të duarve ndërsa pamjet shfaqin të shthurura pajisjet e pastrimit të cilat janë hedhur në një cep të banjos.

Virusi vdekjeprurës tashmë ka prekur vendet si Maqedonia e Veriut, Serbia, Italia ndërsa në mbarë botën janë regjistruar deri më tani 101 mijë raste me 3,461 persona të vdekur.

Mjekët tregojnë se mbi 50 mijë njerëz janë shëruar tashmë nga ky virus nga kujdesi dhe përdorimi i kurave adekuate.

KALLXO.com ka siguruar një fletë-udhëzim, i cili u jep këshilla punonjësve të kujdesit shëndetësor të Kosovës për menaxhimin e rasteve të dyshuara ose të konfirmuara me koronavirus (2019-nCoV).

Udhëzuesit tregon se kur duhet të dyshohet për infeksion me këtë virus.

“Kur e kontrolloni një pacient me infeksion akut respirator (fillim i papritur i të paktën njërës prej këtyre: kollë, dhimbje fyti, vështirësi në frymëmarrje), që është zhvilluar brenda 14 ditëve nga kthimi prej Kinës ose një pacient me çfarëdo simptomash respiratore i cili ka qenë në kontakt me ndonjë person që është diagnostifikuar me infeksion 2019-n CoV”, thuhet në këtë dokument.

Aty jepen këshilla edhe si të menaxhohen pacientët që dyshohet se janë infektuar me koronavirus.

Mjekët rekomandohen t’i sigurojnë pacientit një maskë kirurgjikale, ta veçojnë atë nga pacientët e tjerë në zonat e pritjes dhe ta kontrollojnë në një dhomë të veçantë konsultimi.

Po ashtu, mjekët udhëzohen të zbatojnë masa paraprake standarde të kujdesit, duke përfshirë higjienën e duarve dhe përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse (PPM) për transmetim përmes kontaktit, pikëzave dhe ajrit, mbrojtje për sy, mantel kirurgjik dhe dorëza.

Pastaj, duhet të merren mostra diagnostike për virusin dhe të raportohet rasti tek autoritetet e shëndetit publik.

Si të veprohet me pacientët që dyshohet se janë infektuar me virusin?

Mjekët rekomandohet ta vendosin në një dhomë të veçantë ose të izoluar, të përdoret PPM për transmetim përmes kontaktit, pikëzave dhe ajrit, mbrojtje për sy, mantel kirurgjik dhe dorëza.

Personeli i kujdesit shëndetësor duhet të vetë-monitorohet për çfarëdo simptomash respiratore dhe ethesh gjatë 14 ditëve pas ekspozimit të tyre të fundit ndaj një rasti të konfirmuar, thuhet më tej në udhëzim.

Koronavirusi, një shpërthim i infeksionit akut të traktit respirator i lidhur me një koronavirus të ri, është duke vazhduar të shkaktojë viktima në Kinë, pikërisht në qytetin Ëuhan, që konsiderohet çerdhja e këtij virusi.

Përveç në Kinë, virusi ka shkaktuar viktima edhe në vende të tjera në botë, përfshirë edhe Italinë, ku disa persona kanë vdekur.