Mjeku nga Dragashi që vdiq sot ishte infektuar me COVID-19

Sot ka vdekur mjeku nga Dragashi, Mynafir Beshiri, ndërsa për vdekjen e tij ka njoftuar kryetari i degës së LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu.

Kryetari i Komunës së Dragashit Shaban Shabani për KALLXO.com ka konfirmuar se mjeku Mynafir Beshiri ditë më parë ishte konfirmuar me COVID-19.

“ Fatkeqësisht sot ka ndërruar jetë mjeku ynë i dashur Mynafir Beshiri, ndërsa ditë më parë është konfirmuar se ka qenë me COVID-19 “ tha Shabani për KALLXO.com.

Kryetari i Dragashit tha se nuk është në dijeni nëse mjeku Beshiri ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese, ndërsa sqaroi se mjeku tashmë ka qenë në moshën e pensionimit.

Mynafir Beshiri me profesion doktor, ka shërbyer në Komunën e Dragashit si mjek për vite të tëra, ndërsa ka qenë edhe anëtar i LDK-së, dega në Dragash.

Për vdekjen e mjekut Mynafir Beshiri ka shprehur ngushëllime edhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

“Krahas punës së tij profesionale si mjek, ai ka qenë për më shumë se 30 vite aktivist e funksionar i Degës së LDK-së në Dragash” ka shkruar Kryeministri Hoti.

KALLXO.com në një shkrim ka paraqitur profilet e shtatë mjekëve që vdiqën nga coronavirusi i ri.

Shtatë mantelat e bardha që nuk do të vishen më

 

9 rastet e vdekjeve në 24 orët e fundit nga COVID-19, e ka çuar numrin në 508 të vdekur deri më tani që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë në muajin mars të këtij viti.

Ditë më parë në nder të mjekëve e infermierët që humbën betejën nga COVID-19 janë ndezur qirinj para institucioneve shëndetësore.