Wess Mitchell, foto nga arkivi- rel

ShBA shpreh pakënaqësi për opozitën në Maqedoni

Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyer me krerët e opozitës në Maqedoni për bllokimin e perspektivës euroatlantike të vendit, shkroi të martën zyrtari i lartë i ShBA-së në një letër të hapur.

Ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, fajësoi udhëheqjen e partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE për ndalimin e zbatimit të marrëveshjes historike “për emrin” me Greqinë, e cila ka për qëllim të qartësojë rrugën e Maqedonisë për në BE dhe NATO.

“Ne kemi qenë të zhgënjyer me qëndrimet e udhëheqjes së VMRO DPMNE lidhur me referendumin dhe hapat në parlament për të ndryshuar kushtetutën”, shkroi Mitchell në letrën drejtuar Hristijan Mickoskit, i botuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Letra vjen në një sfond të paqëndrueshmërisë së opozitës për të mbështetur në parlament procedurën për ndryshimet kushtetuese që do të ndryshonin emrin e vendit në Republikën e Maqedonisë Veriore, siç përcaktohet me marrëveshjen e emrit.

“Pavarësisht pretendimeve [nga VMRO DPMNE] se ka mundësi për një ‘marrëveshje më të mirë’, ne nuk besojmë që ky është rasti”, shtoi ai. “Kjo marrëveshje kërkoi kompromise nga të dyja palët. Kjo është një mundësi që nuk ka gjasa të vijë përsëri për vite, nëse jo dekada”.

Mitchell shprehu gjithashtu shqetësime në rritje se udhëheqja e opozitës po ushtron presion mbi deputetët e saj të cilët mund të dëshirojnë të mbështesin marrëveshjen në seancat e parlamentit në vazhdim.

“Ne ju nxisim të krijoni hapësirë, në mënyrë publike dhe private, për anëtarët e parlamentit nga koalicioni juaj që të vendosni se si do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, të lirë nga kërcënimet e dhunës, ndëshkimit apo forma të tjera të shtrëngimit”.

Mitchell kërkoi nga Mickoski “udhëheqjen e guximshme dhe pjekurinë” në atë që ai e përshkroi si një “moment të rëndësishëm historik” për Maqedoninë.

“Si një mik i vërtetë dhe mbështetës i Maqedonisë, ju nxisim që të leni mënjanë interesat partiake për të avancuar interesat tona të përbashkëta strategjike dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur për qytetarët tuaj midis familjes evropiane”, përfundoi Mitchell.