Senati shtyn shqyrtimin e avancimit të Milaim Sejdinit

Senati i Universitetit ë Prishtinës “Hasan Prishtina”, vendosi që të shtyjë rastin e profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Milaim Sejdini derisa Këshilli i Etikës të marrë një vendim në rastin e pretendimeve të një specializanteje për ngacmim seksual.

Në pikën e tetë të rendit të ditës në mbledhjen e senatit të Universitetit të Prishtinës u shqyrtuan vendimet e Inspektoratit te Punës për kandidaten Aida Loshaj dhe Milaim Sejdini.

Sekretari i UP-së, Esat Kelmendi foli për rastin e profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Milaim Sejdini, duke thënë se rasti i ngacmimit seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës.

“Rasti është në shqyrtim në Këshill të Etikës dhe është kërkuar që të marrë vendim Senati dhe aprovohet si e bazuar ankesa e tij dhe obligohet qe të procedojë pozitën e profesorit të rregullt. Na ka obliguar me shqyrtu rastin edhe me marrë një vendim”, tha Kelmendi.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Kërliu-Manxhuka tha se ky profesor plotëson të gjitha kushtet për avancim por sipas saj çështja e ngacmimit seksual është çështje që duhet të shqyrtohet mirë.

“Profesori i ka plotësuar të gjitha kushtet për tu zgjedhur profesor i rregullt dhe është shtyer për shkak të akuzës për ngacmim seksual dhe nuk kam asgjë tjetër për të thënë. “Çështja e ngacmimit seksual është çështje shumë serioze dhe duhet të shqyrtohet mirë nga të gjitha organet sepse ne duhet të dërgojmë një mesazh pozitiv ndaj viktimace dhe atyre qe ndoshta nuk janë fajtorë. Ju përgëzoj për rregulloren për ngacmime seksuale , tha Kërliu- Manxhuka

Në anën tjetër, Rektori i UP-së, Marjan Dema kërkoi pezullimin e kësaj lënde duke theksuar se nuk i bën dëm profesorit.

“Nuk jemi të gatshëm të vazhdojmë me këtë lndë prandaj mendoj qe duhet ta pezullojmë këtë labdë njëhëerë sepse edhe profesori nuk humb asgjë sepse ësthë duke punuar, prandaj unë e vendos në votim”, tha Dema.

Prorektori Faton Berisha po ashtu komentoi në këtë rast duke shpjeguar pse është e rëndësishme që kjo lëndë të shtyhet meqë sipas tij bëhet fjalë për një çështje që ka qenë shumë publike.

“Një profesor që është në marëdhënie të punës kanë dale nëpër mediume të ndryshme tri raste të këtij profesori. Po mundohem të vihem në vend të rektorit dhe ta avancojë dikë qe tre herë bëhet çështje publike ndoshta ska faj në asnjëherë por unë kisha pasur kujdes. duhet dikush të kontribuoj goxha shumë për tu avancuar, për t’iu hequr thirrja akademike duhet të vendosë Këshilli i Etikës dhe mundem të vazhdojmë formalisht dhe të presim derisa të kemi vendim të këshillit”, tha Berisha.

I kontaktuar nga KALLXO.com dje avokati Durim Osmanaj ka thënë se Inspektorati i Punës ka vendosur që të aprovojë ankesën e profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Milaim Sejdinit.

Ai gjithashtu tha se në mbledhjen e nesërme të Senatit presin që të respektohet vendimi i Inspektoratit.

“Inspektorati ka obliguar UP-në që profesori në fjalë të vazhdojë me pozitën e profesorit të rregullt për lëndën Ortodonci klinike dhe gjenetike, urofaciale, konform nenit 14 të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe nenit 14 për Procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik.”, deklaroi avokati.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së pretendimeve të specializantes, e cila e kishte akuzuar Sejdinin për ngacmim seksual, avokati Osmanaj nuk pranoi që të komentojë.

“Nuk mund të flasë për këtë pjesë”, shtoi ai.

https://kallxo.com/senati-i-up-se-neser-vendos-per-profesorin-qe-pretendohet-se-ngacmoi-seksualisht-studenten/