Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Tendat N’shesh: Prej Tanave Ka Pak

Herë ftoftë, e herë zheg. N’kitfar lagatere, edhe njerzit ia kanë nisë më pritu me dalë. Po, fundi i fundit, s’o qi kanë faj.

Shoferat e çoroditun s’ka dreq qi i nalë tu shllajfitë nëpër rrugë e trotuar, e natën ma shumë bajnë dritë çajtoret e kafehanet sesa shtyllat qi janë t’paracaktueme për at punë.

Përmendorja e shkretë me tre rrêma pushojke pa asni frymë, e semaforat lshojshin zana telefonikë çdo 60 sekonda.

Për ni njeri qi rrallëherë i kushton kohë vërshimeve t’pamasa t’lajmeve shoqnoro-politike (qe besa s’kanë metë shumë prej tyne), goxha kish me kanë çudë me pa ni koloni çadrash t’ngulitun midis shehrit. Pak para se mu afru mirë, kerret e nalshin turrin e e qitshin n’ler për me kqyrë se çka o kah bahet.

Masi qi edhe un ia ngula sytë ni grimë prej largut, vendosa me i hi përmes e me marrë vesh çka po ndodhë n’at katralojë.

Hala pa e qitë mirë hapin e parë drejt sheshit, e pashë ni grumbull t’policve tu llafosë me nja dy-tre vet tjerë. Kur m’depërtoi te veshi ni e keshme gazmore, e kuptova qi s’ish fjala për naj sherr. Asnjana palë s’u dokke qi kish najfar gajle t’madhe.

N’fillim kur i pashë tendat ma çuen shumë mallin e kampeve  – tashmâ karakteristike – n’festivalet verore t’Kosovës.

Numri i madh i njerzve tu u sillë anej-knej e kakofonia e gjithmbarshme e sugjerojshin ni gjâ t’tillë, po nuk m’u mushke menja qi dikush rrezikon me nisë diçka asisoji n’Prishtinën tonë ngulfatëse e t’përhimtë.

Njerzit kalojshin me hap t’shpejtë n’t’dy anët e krahve t’mi, secili prej tyne tu shkëmby fjalë për “kit sênin qi po bahet n’shesh”.

E niva dikân, si pahiri, tu i thanë ni shokut t’vet: “wo bir, shumë e kisha bo ni nejë qitu sonte!”, e ai tjetri, i tmerruem, ia kthej pa pritë: “o le at punë, e hajde se paska dajë!”. Ikën shumë shpejtë e s’mujta me iu thanë qi neja, faktikisht, veç ia kish nisë.

Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla
Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Kur u binda qi s’ka diçka t’dyshimtë, e kalova tendën e parë t’bardhë për me mrri te ni luzmë njerzish qi ishin mledhë rreth diçkaje.

Mu n’mes ni sharki, e përreth t’knume e t’folme për Selman Kardrinë, Oso Kukën e do gjana tjera. Zani i tyne pushkë, po n’prapavijë u nijke tingulli bashkëkohor po sidoqoftë mediokër i estradës tonë.

E kishin pas ba n’jet me nejtë derisa “t’na çelë sabahi”, po s’shkoi gat e u shpërndanë, simas t’gjitha gjasave, kur iu harxhu çaji e duhani. N’momentin kur u qetsuen telat e sharkisë, filluen me marrë fuqi ushtimat tjera përreth.

Tre-katër njerz iu rrishin gati bureve me zjerm t’vendosuna gjithkun anej pari. Përqark cërcëritjeve t’gacave e timit, bajshin muhabet e keshshin i madh e i vogël.

Jo shumë larg njanës prej bureve, i pashë dy burra qi ishin nalë e dredhshin duhan; u afrova e thashë t’shoh çka po thojnë për kit mesele. “Qyre ti djalë, na me punue tybe nuk punojmë. Besa, edhe me dashtë, ksi vakti s’ki çka ban. Bile po marrim diçka me shti n’gojë e po kem me kon me i kajtë hallet” – m’tha njani, me za t’butë po si tuj m’shpërfillë.

Nisa me u shtensionu kur e pashë qi ni numër goxha i madh i njerzve, sikur un, veç kishin ardhë me pa çka po ndodhë. Do p’ej zori e do p’ej qefi, poget.

Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla
Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Përveç polemikave t’ashpra se çka do me thanë shteti e çka mileti, përreth bureve u folshin llafe t’përdishme me familjarë e me fmi.

Dikun, pak ma poshtë, njerzit pritshin n’rên me u ballafaqu n’shah e n’zhol. Mas ni kohe t’shkurtë, muzika qi dilke prej altoparlantave shurdhues filloi me tingllu si Laver Bariu. Edhe për besë, Laver Bariu ke. Tu shkele nëpër dromca t’stiroporit dola n’anën tjetër t’sheshit: te Skënderbeu.

Ni fabrikë e vogël e pllakatave me parulla e dominojke at pjesë. N’mesin e tendave t’veshuna me llastik ke edhe “shpia e moçme” e puntorve t’gypave. Ni zot e din se çka iu ka shku nëpër men kur e kanë marrë vesh qi po bahen me kojshi.

N’tendën tjetër – rranzë asaj n’formë t’serrës – njerzin hishin e dilshin sa mujshin. Shpejt e gjeta ni t’çame n’njanen prej anëve edhe hina mrena, si me zor. Nja 50-60 njerz, do shputat përtoke e do tjerë kamkryq, ia kishin thanë kangës.

Jo shumë ndryshe prej kojshive t’tyne t’mahershëm, fokusi ke n’rapsodi. Dallimi i vetëm ke qi kta, poget, s’e kishin lanë vetën keq për duhan e çaj. Odë, me (gati) plot kuptimin e fjalës, gjithmonë tu e përfshi faktin qi s’ke asni gru.

Ia nisi me u ba pak vonë, po thuejse kurgja nuk kish ndryshu jashtë. Buret hala qitshin flakë, e njerzit hala qitshin fjalë. Ia nisi me piklu ni shi i imë, po s’o qi ia nijke najkujt. Pak ma poshtë, përte flamujve e parullave, njerzit u turrshin me folë e me u fotografu me gjin qi dalin n’televizor.

E pashe ni fmi t’vogël tu iu mshele kapaktë e syve kadale n’krah t’babës t’vet; bash qashtu qysh na u ka flejtë kur kena shku dikun me nejtë musafir si i vogël e u tepru muhabeti. Edhe un qasaj udhe kesh.

U nisa kah Nana Terezë, derisa nuk pashë mâ fara përtoke e nuk m’u zike fryma prej timit. Edhe pse nuk pat mâ qaq shumë njerz qi u enshin, e pashë dikân qi nuk ka ditë qi s’e shoh: nja prej atyne djemve  t’vegjël e t’buzqeshun qi përmes rrahjeve t’tarabukut e bajnë Prishtinën ajo qi asht.

Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla
Protestues të opozitës në tendat para Kuvendit të Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Menova me iu afru e me ia marrë naj fjalë për tripin e tendave 20 hapa larg tij, po, ndrrova mên. S’ki nevojë me vetë për me e kuptu se çka po menon. Televizor s’kqyrë tân ditën e radio jo-se-jo. Garant ia ka lshu ni sy prej kurreshtjes t’shkretë, e u kthy prap n’punë t’veta – përndryshe, nuk i jep pesë pare për kit punë.

Për atâ, gjithçka vazhdon me kanë e njâjtë. Qikjo asht shpia e vet: qitu jeton e qitu fiton; err e terr. Veç asaj, ai ia dhuron qytetit ni ngjyrë t’amel e i ban ballë dinamikës shkatrrimtare qi e bjen me veti përditë.

Ia lashë t’imat qi i pata n’xhep, i bana shoqni ni grimë, e vazhdova masanej nëpër rrugicat – sigurisht t’pandriçume – t’shehrit tonë.

————————————————————————————————————

T’nesërmen, si me pas ditë, i kishin pas hjekë tendat. S’e di arsyen pse, po edhe at tendën e puntorve t’gypave e kishin çmontu tok me tjerat.

Sa çel e mshel sytë, gjithçka, poget, u kthye “n’normalitet”. Po, sidokoftë, s’i zihet besë kurrë Prishtinës; keep an eye open, qi thojnë!