Ilustrim

Prishtinë - Klienti paguan me para të falsifikuara

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme janë raportuar dy raste të falsifikimit të parave në rajonin e Prishtinës.

Siç bën të ditur Policia, rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në rrugën “Muharrem fejza” në Prishtinë, kur një klient gjatë blerjes në një lokal dyshohet se ka paguar me para të falsifikuara.

“Ankuesja femër K/Shqiptare, punëtore në një lokal ka deklaruar se një klient gjatë blerjes kishte bërë pagesën me një monedhë prej 100€, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti tjetër siç bën të ditur Policia ka ndodhur në qytetin e Podujevës, ku një i dyshuar kishte deponuar në bankë para të cilat kanë rezultuar të falsifikuara.

“Në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë me datën 21.11.2018, ankuesi mashkull K/Shqiptar, punëtor i një banke ka raportuar se një klient kishte deponuar një shumë të hollash dhe gjatë kontrollimit, një kartëmonedhë prej 50€ kishte rezultuar si e falsifikuar”, njofton Policia e cila ka treguar se rasti është duke u hetuar.