Përshkallëzimi i TVSH-së, Zero Impakt në Jetesë pas Muajit të Parë

Përshkallëzimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga institucionet e Kosovës, pati një impakt të papërfillshëm në koston e jetesës për qytetarët, ndonëse ndryshimi fiskal pati pikërisht këtë efekt në qendër të objektivave të saj.

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në Kosovë. Ku sipas këtij indeksi, muaji shtator 2015 pësoi rënie -0.3 për qind në krahasim me muajin paraprak si dhe shkalla e inflacionit për muajin shtator ishte -1.2 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

“Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë pësoi rënie për -0,3% në muajin shtator 2015 krahasuar me muajin gusht 2015. Shkalla e inflacionit (deflacionit) e matur në muajin shtator 2015 me muajin shtator 2014 ishte -1,2%.”

Indeksi matej thotë se ndryshimi i ligjit të TVSH-së ka ndikuar në masë -0.4 për qind në kosto të jetesës. E përkthyer në para, kjo ulje do të thotë se një familje, e cila shpenzon mesatarisht 800 euro në muaj, kurseu 3.2 euro nga reforma e qeverisë për muajin shtator.

Megjithatë, një muaj konsiderohet periudhë e pamjaftueshme për të matur efektet e një ndryshimi të tillë, siç është pakoja e re fiskale, dhe zakonisht periudha më e vogël e përshtatshme për të bërë një vlerësim të tillë është ajo prej 3 muajsh që nga nisja e zbatimit të një reforme.

Madje, për disa produkte, të cilave iu zbrit TVSH-ja në nivelin 8% (nga 16%) që ishte më parë, u vërejt rritje e çmimit për konsumatorin, dhe jo ulje, siç duhet të kishte ndodhur. Ndërkq, për disa produkte të tjera, për të cilat TVSH-ja u rrit nga 16% në 18%, u reflektua një ulje e çmimeve, jo ngritje.

Cilat nëngrupe shënuan rënie dhe cilat nëngrupe neutralizuan këtë rënie të çmimeve në indeks?

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie për -0,3% në muajin shtator 2015 krahasuar me muajin gusht 2015.

Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: buka dhe drithërat (-1,9%), pemët (-6,7%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6,3%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (-3,4%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-3,4%)-(rënie e çmimit të benzinës dhe naftës për -4,1%), shërbimet për transport (-5,8%)-(rënie e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1,0 për qind në IHÇK-it.

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët (2,0%)-(ngritje e çmimit të vezëve), perimet (3,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,2%), prodhimet dhe pajisjet mjekësore (2.4%), blerja e automjeteve (1,5%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,7 për qind në IHÇK-it.”

Sipas ASK-së muajin shtator 2015 krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar kemi rënie të indeksit të harmonizuar të çmimeve për -1.2 për qind

“Shtator 2015 / Shtator 2014 -1,2%

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie për -1,2% në muajin shtator 2015 krahasuar me muajin shtator 2014. Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët (-1,7%), perimet (-3,6%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (-5,0%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (-2,5%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-13,8%)-(rënie e çmimit të benzinës dhe naftës për -15,7%), arsimi i lartë (-28.1%), shërbimet dhe strehimi i studentëve (-15,7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -2,3 për qind në IHÇK-it.

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: mishi (1,8%), vajrat dhe yndyrat (6,0%), pijet alkoolike (12,2%), duhani (9,7%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2,5%), prodhimet dhe pajisjet mjekësore (3,2%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,1 për qind në IHÇK-it.”

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse pasiguria politike ka ndikuar në mbajtjen e lartë të çmimeve, pavarësisht uljes së TVSH-së për një gamë të gjerë produktesh.