Photo - Atdhe Mulla.

Përpjekjet minimale të burrave feministë

Kritiket më të mëdha të lëvizjes feministe janë vet gratë e lëvizjes, dhe burrat që i bashkohen si protestues dhe aktivistë duhet të përgatiten për të njëjtën kritikë dhe llogaridhënie.

Kritika ka qenë gjithmonë pjesë esenciale e lëvizjes feministe. Në mbarë botën, pikëpamjet dhe veprimet feministe janë mbajtur nën vëzhgim të hollësishëm jo vetëm nga skeptikët dhe kundërshtarët, por edhe nga vet gratë feministe. Teoricienet, shkrimtaret dhe aktivistet vazhdimisht e theksojnë se si qasja neoliberale ndaj barazisë po i dëmton përpjekjet tona për t’i përkrahur gratë që punojnë dhe për t’i mbrojtuar ato që janë më pak të priviligjuara.

Ne i kritikojmë politikanet dhe diplomatet, gratë e fuqishme që e avokojnë këtë qasje kur flasin se si gratë duhet tu përshtaten sistemit në vend se ta sfidojnë atë. I kundërshtojmë këto gra kur e përdorin retorikën e barazisë gjinore, por prapë se prapë i binden partisë politike apo institucionit për të cilin punojnë, institucione që udhëhiqen dhe dominohen nga burrat.

As vet aktivistet nuk kanë imunitet ndaj kritikës së brendshme, posaqërisht kur vërrejmë hipokrizi në besimet dhe veprimet e tyre. Shpesh e përjashtojmë njëra tjetrën me shprehjen: “E po i thush vetës feministe”.

Shkrimtarja dhe aktivistja Roxane Gay e quan vetën “feministe e keqe”. Ajo refuzon të jetë e pagabueshme, dhe e pranon që ndjen shumë presion për “të pozuar në mënyrë perfekte” – siç e thotë ajo, që kurrë të mos zhgënjej dhe përherë t’i ketë përgjigjet e duhura.

“Ne kërkojnë përsosmëri nga feministet sepse ende po luftojmë për aq shumë, duam dhe kemi nevojë për shumë më shumë,” tha ajo.

Jo vetëm që pritet nga ne që ta zotërojmë punën tonë dhe t’i dëshmojnë vlerat tona si feministe, por edhe përballemi me kërcënime vdekjeje dhe përdhunimi vetëm pse e ngrisim zërin dhe kërkojmë ndryshime.

“Nuk besoj që do të mund ta përballoj këtë për shumë gjatë,” më tha aktivisja Gresa Hasa pas paraqitjes së saj në një debat televiziv për përdhunimin e vajzave dhe vrasjet e grave në Shqipëri. Ajo u detyrua t’i bërtas thirrjet kundër dhunës për shkak të kundërshtimit të ashpër të panelistëve seksistë. Njëra paneliste i fajësonte vajzat që nuk janë të edukuara si duhet për t’iu ikur situatave të dhunshme, tjetra i fajësonte nënat e vajzave për mënyrën se si po i edukojnë ato, ndërsa burri në panel morri një pjesë të mirë të kohës duke “e shpjeguar” rolin e grave dhe duke e theksuar se si ato çdo herë e më shumë, po i shpërfillin detyrat e rëndësishme, veçanërisht atë të riprodhimit dhe amësisë.

Këto përvoja nuk marrin fund kurrë, dhe e gjithë kjo na e përkeqëson shëndetin tonë mendor dhe mirëqenien e përgjithshme. T’i vësh në praktikë besimet feministe është punë shumë kërkuese.

Tash e sa vite burrat kosovarë duket se po e përqafojnë idenë e të qenit feminist. Ata shprehen si të tillë në rrjete sociale, marrin pjesë në marshe dhe protesta feministe, shkruajnë dhe flasin me zë të lartë në debate dhe konferenca për barazi gjinore.

Dhe kurdoherë që burrat vetshpallen ‘feministë’, apo vetëm thonë se besojnë në të drejta të grave dhe barazi gjinore, ne rallë u bëjmë pyetje. Përkundrazi, u urojmë mirëseardhje me krahë të hapur dhe i duartrokasim. Themi se kemi nevojë për ta, që pabarazia gjinore nuk është vetëm përpjekje e grave, dhe se nga barazia përfitojmë të gjithë.

Marshet dhe protestat feministe duket se shërbejnë si rast konkret ku burrat e vetshpallur feministë e promovojnë vetvetën. Ata marshojnë, madje edhe bërtasin sllogane feministe dhe thirrje kundër shkeljes së të drejtave njerëzore të grave. Por kur e marrim parasysh faktin se sa haptas një burri që rritet në shoqëri patriarkale i lejohet të shprehet seksualisht, atij do t’i duhet përpjekje tejet serioze për ta çmësuar dhe të lirohet prej atij privilegji.

Prandaj nuk është çudi kur në ngjarje të tilla shohim burrat që na kanë përndjekur, ngacmuar, dhe na kanë lënduar si gra.

Disa aktiviste kanë shprehur irritim për këtë çështje në rrjete sociale dhe në grupe të mbyllura. Prandaj është e domosdoshme që të pyesim: “Nëse një burrë nuk e kupton që ‘jo do të thotë jo’, nëse nuk mund ta pranoj faktin se ai nuk ka kurfarë të drejte mbi trupin e një gruaje, nëse nuk mund ta dënoj një praktikë diskriminuese kur ndodh në familje, punë, në një rreth shoqëror apo edhe më keq, nëse vet po e inkurajon apo e shkakton atë, çka don ai në një protestë feministe?”

Prindërimi është një tjetër çështje që i thekson standardet e dyfishta gjinore brenda grupeve dhe avokuesve feministë në Kosovë. Në pesë vitet e fundit, OJQ-të në Kosovë punojnë me konceptin e atësisë, dhe po mundohen që ta promovojnë atë si mjet për barazi në mes të grave dhe burrave. ‘Babai i vitit’ është çmim vjetor për baballarët dhe kontributin e tyre si prindër.

Nënat, në anën tjetër, mirrën për të mirëqena. Shtatzënia bashkë me komplikimet e mundshme, procesi tmerrues i lindjes, vet lindja (ende shkaktare e zakonshme e vjekjeve maternale në mbarë botën), dëshpërimet e lehonave (ang.baby blues) dhe depresioni i paslindjes (plotësisht të injoruara nga shoqëria kosovare), mungesa e gjumit dhe lodhja e rëndë, të gjitha të shoqëruara nga pritjet shoqërore që të buzëqeshin dhe të humbin peshë, perceptohen si asgjë pos ‘të natyrshme’.

Asnjë grua nuk shpërblehet për të gjitha këto vështirësi, as për faktin që janë përkujdesëset primare të fëmijëve (qofshin nëna vetushqyese apo jo), që largohen nga puna derisa të gjejnë një zgjidhje të duhur për të voglen/in, dhe për faktin që janë ato të cilat kryesisht kontributojnë në rritjen e fëmijëve.

Por mjafton që një baba t’ia ndërron pampesin fëmijës së tij, një veprim aq bazik për një prind sa vet ajri që e thithim dhe një nga detyrat më të lehta në fazat e hershme të prindërimit, që të shpërblehet publikisht dhe të ngritet në qiell me lëvdata. Ai nuk promovohet thjeshtë si një baba i mirë, por si ‘babai më i miri’.

OJQtë në Kosovë janë në gadishmëri që ta ndajnë çfarëdo platforme që kanë me burrat, e sidomos me burrat në politikë. E pamë Kryeministrin Ramush Haradinaj me një shall ngjyrë rozë në marshin vjetor të muajit vetëdijësues rreth kancerit të gjirit. Në vend që të kërkohet llogari nga personi përgjegjës për institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin e grave, ai u ftua që të mbaj fjalim dhe të marshoj në mënyrë paqësore në një ngjarje me plotë balona, vallëzim e muzikë.

Burrat politikanë po ashtu ftohen që të shkruajnë për barazi dhe të drejta të grave. “Ato janë nënat, gratë, vajzat, motrat tona” është ndër shprehjet e tyre të preferuara kur flasin dhe shkruajnë për domosdoshmërinë e barazisë gjinore.

Por a kemi me të vërtetë nevojë ta lexojmë një pjesë teksti sipërfaqësor nga burrat që në fakt kanë pushtet që të ndihmojnë ta bëjmë barazinë gjinore realitet të prekshëm? Deputetë, ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetëror, po të kenë vullnet, shumë lehtë mund të adoptojnë dhe zbatojnë ligje nga të cilat përfitojnë gratë.

Ta marrim si shembull Ligjin për Familjen. Pasi që në shoqërinë kosovare detyrat prindërore perceptohen si sinonim me përgjegësitë e nënave, ata mund të sugjerojnë që ligji të përfshij dispozita eksplicite për përgjegjësitë e baballarëve.

Duke e fokusuar theksin ligjor tek përgjegjësitë konkrete që burrat kanë në jetën familjare, do të shohim rezultate në rritje të punësimit të grave. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktualisht vetëm dy në dhjetë gra janë aktive në fuqinë punëtore.

Burrat mund t’i kontribojnë barazisë nëse thjeshtë ndalojnë së lënduari vajzat dhe gratë. Shembulli më i shëmtuar është rasti i vajzës adoleshente nga Drenas, të cilën në muajin shkurt e vënë në qendër të vëmendjes kur u raportua për akuzat ndaj arsimtarit të saj për përdhunim, dhe për shantazh dhe përdhunim nga hetuesi përgjegjës policor.

Avokati që e morri përsipër rastin e saj foli publikisht në emër të saj duke e mbrojtur atë bindshëm kundër burrave që e shfrytëzuan seksualisht dhe emocionalisht.

Një grup djem e vajza, studentë e aktivistë nga Drenasi organizuan protestë duke kërkuar që burrat që abuzuan me vajzën të mbahen përgjegjës para ligjit. Këshilli organizativ i protestës nxitoi ta shpallë avokatin ‘hero’ për mbrojtjen e vajzës.

Por vetëm pas disa javëve u raportua që avokati po mbahet në paraburgim për shkak të mesazheve që i kishe shkëmbyer me vajzën, mesazhe të cilat sipas prokurorisë janë dëshmi që ai po ashtu e shfrytëzoi vajzën, ngjashëm sikurse burrat prej të cilëve pretendoi se po e mbronte.

Për momentin, duhet ta pranojmë që burrat në Kosovë nuk janë aleatët tonë. Ata nuk e kanë brumin e nevojshëm për të qenë feministë dhe për të jetuar me vlera feministe. Ata nuk e kanë këtë trashëgimi nga baballarët dhe gjyshërit e tyre, dhe as edukimin e duhur fëmijëror. Aktualisht, përkrahja e tyre është e rreme dhe nuk bën asgjë për ta bërë këtë vend më të mirë për vajzat dhe gratë. ‘Kontributi’ i tyre nuk po na mbron nga dhuna, nuk po na përmirëson shëndetin, dhe as mundësitë për ngritje profesionale.

As edhe përjashtimet më të sinqerta nuk bëjnë ndonjë ndryshim që ja vlen të përmendet. Askush nuk meriton çmim vetëm pse sillet si njeri normal dhe i përgjegjshëm.

Në shkrimin e saj për burrat abuzues të Kosovës, Hana Marku thotë se kur burra të tillë bashkë me shokët e tyre i abuzojnë gratë, ata e dinë saktësisht se çfarë po bëjnë. E njëjta mendoj që vlen edhe për burrat e vetshpallur feministë që kontribojnë mimimalisht për të drejtat e grave; ata e dinë që mund të bëjnë më shumë por zgjedhin të kënaqen me status quo-në.

Prandaj, në vend që t’i çmojmë burrat për përkjekje minimale dhe t’i urojmë ata para kohe, unë them që të presim gjatë në mënyrë që ata ta dëshmojnë se sa të sinqerta i kanë besimet feministe. Dhe as që e kemi për detyrë t’i edukojmë dhe tua ndriçojmë mendjet.

Krejt përkundrazi, detyra jonë është t’i sfidojmë dhe t’i ngarkojmë me obligime feministe. Ne duhet t’ua bëjmë të qartë që epiteti me të cilën janë mishëruar vjen me përgjegjësi të mëdha. Unë them t’i mbajmë të përgjegjshëm dhe të këmbëngulim që feminizmi i tyre të jetë praktik.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.