Ilustrim

Skandali i abuzimit seksual në Drenas, mesazhet që e ndërlidhin avokatin me dyshimet

Burime të KALLXO.com kanë marrë vesh se Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim edhe ndaj avokatit Gazmend Halilaj, të dyshuarit të katërt në rastin e vajzës 16 vjeçares nga Drenasi.

KALLXO.com ka siguruar të thëna nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit të avokatit Gazmend Halilaj, i cili është arrestuar këtë javë nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe keqpërdorim seksual të vajzës së mitur nga Drenasi.

Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com thuhet se Halilaj dyshohet se në cilësinë e avokatit të të dyshuarit Sh.Xh. (profesor) e ka shfrytëzuar rastin dhe ka krijuar afërsi me vajzën e mitur N. N. nga Drenasi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se si avokat i të dyshuarit ka përfituar nga ky rast dhe sipas tij që nga fundi i vitit 2017 është njoftuar më për së afërmi me tani të dëmtuarën N.N., ka filluar të shoqërohet me të dhe me të njëjtën është hy edhe në lidhje gjegjësisht raporte dashurie”, thuhet në në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj avokatit.

Në dosje tutje thuhet se ekzistojnë prova si ‘screen shots’ dhe audio incizime të cilat vërtetojnë dyshimet se Halilaj e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe ka shfrytëzuar viktimën N.N.

Avokati thuhet se e mbrojti profesorin deri në momentin kur viktima e ridenoncoi rastin në prokurori dhe Inspektorat Policor.

“I pandehuri Gazmend Halilaj duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka keqpërdor dhe tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që duke përfituar nga ai rast është afruar aq shumë me të dëmtuarën N. N. sa që edhe vet pastaj ka filluar ta keqpërdor seksualisht dhe të manipulojë me të duke e shtytë që ajo t`i denoncojë personat tjerë për keqpërdorimet seksuale që ia kanë bërë asaj”, thuhet në dosje të Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com, theksohet se i pandehuri Gazmend Halilaj dyshohet se ka penguar zhvillimin e hetimeve të Prokurorisë ndaj zyrtarit policor Vesel Veseli.

“Ai ka vazhduar të komunikojë dhe ndikojë te e dëmtuara N. N. pasi që e njëjta është viktimë në këtë rast në atë mënyrë që e ka detyruar të dëmtuarën që kohë pas kohe nga telefoni i familjes së saj me numër 04 -/——— t’u shkruajë mediave dhe portaleve të ndryshme, por edhe personave zyrtarë në polici se kinse ajo do të vetëvritet nëse i publikohen provat nga telefoni i saj dhe duke thënë të dëmtuarës që ajo të pandehurin Gazmend ta paraqesë si shpëtimtar të saj, kurse edhe vet i pandehuri edhe pse i vetëdijshëm që është duke i penguar hetimet ka shkruar mesazhe të ndryshme siç është rasti i dt. 26.02.2019 kur i ka shkruar redaksisë së portalit “Ballkan.info” dhe i ka thënë që të publikojnë mesazhin e vajzës nga Drenasi se dikur mund të bëhet vonë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com.

https://kallxo.com/skandali-i-drenasit-avokati-gazmend-halilaj-mbetet-ne-paraburgim/

Në dosje po ashtu theksohet se në bazë të komunikimit përmes Viber nga ana e të pandehurit me të dëmtuarën N. N. dhe në bazë të shkresave të lëndës ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Gazmend Halilaj, duke e përfaqësuar pranë prokurorisë tani të pandehurin tjetër që lidhet me këtë rast Sh. Xh, ka rënë në kontakt me tani të dëmtuarën.

Aty shpjegohen momentet kur e dëmtuara kishte hequr dorë nga ndjekja penale për profesorin dhe këshillat që avokati i kishte dhënë viktimës.

“Ka komunikuar me atë, duke e siguruar atë që ndaj saj prokuroria nuk mund të marrë masa, pasi që e dëmtuara më parë ia kishte shprehur shqetësimin të pandehurit se ka pasur frikë gjatë intervistimit duke i thënë “ama rri shlirë se prokuroria ty asgjë s`të bënë, ndërsa e dëmtuara N. N. ia ka kthyer “po tutna më tha dënohesh”. Ndërsa i pandehuri ja kthen “kurrë jo s`ke pas avokat në polici ajo deklaratë pa avokat është zero”, ndërsa e dëmtuara N. N. i përgjigjet “flm a” dhe “e mirë”. Po ashtu nga përmbajtja e këtyre provave ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e keqpërdorë seksualisht të dëmtuarën duke e përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin, sepse mesazhet përmbajnë shkrehje eksplicite”, thuhet në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com.

Rasti i keqpërdorimit seksual të të miturës nga Drenasi kishte tronditur opinionin në Kosovë muajin e kaluar kur u publikuan dyshimet për përfshirje në këtë rast të një hetuesi policor dhe një profesori të saj.

Kundër këtij rasti, shoqëria civile ka mbajtur një numër protestash duke kërkuar hetimin dhe daljen para drejtësisë të përgjegjësve.

Krashas avokatit Halilaj, edhe polici hetues edhe profesori mbeten në paraburgim.

Pas arrestimit të avokatit Gazmend Halili lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe keqpërdorim seksual, ka reaguar mbrojtësi i tij, avokati Arbër Fazliu.

Avokati Fazliu tha për KALLXO.com, se arrestimi i Gazmend Halilit ndodhi pas deklaratave të tij për New Yourk Times dhe kallëzimit penal të ngritur ndaj Prokurorit.

“Pas kallëzimit penal ndaj prokurorit Ruhan Salihu dhe hetuesve të IPK-së, si dhe pas deklaratave të avokatit për New Yourk Times lidhur me rastin e të miturës nga Drenasi, Gazmend Halili u arrestua”, tha Avokati Fazliu.

Ai shtoi se Prokuroria nuk ka bazë ligjore për ta kërkuar paraburgimin ndaj klientit të tij.

“Duke e pas parasysh që ne jemi avokat dhe ushtrojmë profesion të lirë nuk mund të dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e po ashtu duke pasur parasysh se vet e mitura i ka demantuar këto pretendime duke thënë që Gazmendin e konsideron si vëlla të dytë. Konsiderojmë se Prokuroria nuk ka bazë ligjore për ta kërkuar paraburgimin”, tha Avokati.

KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin Ruhan Salihu, por i njëjti nuk ka dashur të deklarohet lidhur me pretendimet e avokatit të Gazmend Halilit, Arbër Fazliu.

Avokati Gazmend Halili është i arrestuari i katërt lidhur me rastin e të miturës nga Drenasi.

Ai u arrestua të enjten në orën 2 e 45.

Para avokatit janë arrestuar edhe polici Vesel Veseli, arsimtari Shkëlzen Xhekaj dhe gjinekologu Fehmi Ahmeti.