Foto: OSBE

OSBE dhe BE presin nga partitë politike të angazhohen për forcimin e sistemit zgjedhor

Zyra e BE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së e kanë mirëpritur nismën e përbashkët të kryetarëve të grupeve parlamentare për të përmirësuar dhe fuqizuar procesin zgjedhor në Kosovë si dhe kanë kërkuar angazhim nga të gjitha partitë politike për të arritur këtë objektiv.

“Proceset zgjedhore të lira, të drejta, transparente dhe të besueshme janë bazë për funksionim demokratik të institucioneve”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre dy misioneve të huaja në Kosovë.

Këto dy misione zotohen se do të ndihmojnë punën e Komisionit që pritet të formohet nga grupet parlamentare.

“Për këtë qëllim, e mirëpresim vendimin e Kuvendit për të themeluar një komision parlamentar ad hoc. Është e rëndësishme që ky komisionin do të ketë një grup këshillëdhënës të përbërë nga ekspertë dhe hisedarë lokalë dhe ndërkombëtarë. BE-ja dhe OSBE-ja do t’i mbështesin dhe t’i ndihmojnë ata në punën e tyre”, vazhdon komunikata e tyre.

Sipas tyre, përmirësimi i procesit zgjedhor është tipar i përhershëm i demokracisë dhe kërkesë e vazhdueshme për demokracitë në zhvillim.

Për të realizuar me sukses këtë përmirësim, BE dhe OSBE kërkojnë angazhim nga të gjitha partitë politike në Kosovë.

Kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë nënshkruar sot gjatë ditës deklaratë të përbashkët ku zotohen për të punuar për përmirësimin dhe forcimin e sistemit zgjedhor në Kosovë.

https://kallxo.com/be-e-osbe-bejne-bashke-partite-politike-pajtohen-per-forcim-te-sistemit-zgjedhor/