Foto: ORCA

ORCA Kërkon Përgjigje nga MASHT Pas Revokimit të Doktoratës së Avni Mazrrekut

Publikimi i hulumtimit të “Gazetës Jeta në Kosovë”, i cili tregon se profesorit Avni Mazrreku i është revokuar titulli i doktoratës nën dyshimet për plagjiaturë, ka nxitur reagime të organizatave që monitorojnë punën e arsimit të lartë në Kosovë.

Një prej tyre, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e ka pritur me shqetësim këtë të gjetur të “Gazetës Jeta në Kosovë”.

“ORCA është informuar me shqetësim nga hulumtimi i “Gazetës Jeta në Kosovë” për revokimin e doktoraturës nga Universiteti i Bremenit në Gjermani për rektorin Avni Mazrreku të institucionit privat të arsimit të lartë në Kosovë -Kolegjit ISPE”, thuhet në reagimin e organizatës.

Përfaqësuesit e ORCA-s janë shprehur të shqetësuar për mungesën e paralajmërimeve për një reagim institucional në Kosovë për këtë rast.

Madje përfaqësuesit e kësaj organizate kanë drejtuar pyetje për zyrtarët e lartë të arsimit në Kosovë.

“Çfarë do të ndodhë me diplomat e të diplomuarve që janë mentoruar nga personi në fjalë? Çfarë do të ndodhë me “Kolegjin ISPE”? Janë dy pyetje që ORCA mendon se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MAShT duhet t’ua sqarojë qytetarëve kosovarë”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Përveç kësaj, ORCA ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi që ta themelojë një komision të përhershëm për hulumtimin e gjitha doktoratave që janë bërë në Kosovë, në vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Është e domosdoshme që një gjë e tillë të bëhet për të gjithë personat që mbajnë tituj akademikë dhe pozita të rëndësishme publike”, thuhet në reagim.

Përfaqësuesit e ORCA-s kanë bërë thirrje për të raportuar edhe raste ku ka dyshime për plagjiaturë.

“ORCA zotohet se do ta ruajë anonimitetin e informuesve dhe zotohet se do të ngrisë kallëzime penale për të gjitha rastet kur ka prova të mjaftueshme se veprime të jashtëligjshme të keqpërdorimit akademik janë kryer”, thuhet në reagim.

Avni Mazrrekut i Revokohet Titulli i Doktoratës për Shkak të Plagjiaturës

“Gazeta Jeta në Kosovë” të mërkurën ka publikuar hulumtimin që tregon për revokimin e doktoratës së profesor Avni Mazrrekut nga Këshilli i Fakultetit Juridik i Universiteti të Bremenit nën dyshimin se pjesë të disertacionit të tij janë plagjiaturë.