Oficeri serb dënohet për vrasje të civilëve në Tërnje të Suharekës

Gjykata e Lartë në Beograd e ka dënuar ish-oficerin e Ushtrisë jugosllave, Rajko Kozlina, me 15 vjet burg për vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje të Suharekës më 25 mars 1999, përderisa ka shpallur të pafajshëm eprorin e tij, Pavle Gavriloviq.

Gjykatësja Mirjana Iliq tha gjatë shpalljes së aktgjykimit se Kozlina udhëhoqi njësinë e tij drejt fshatit, ku së paku 31 civilë shqiptarë u vranë, por shtoi se nuk është dëshmuar se Gavriloviq dha urdhër që “nuk duhet të ketë të mbijetuar”.

“Gjykata gjen se akuzat ndaj Gavriloviqit nuk mbështeten në dëshmi”, tha Iliq gjatë leximit të aktgjykimit.

Trupi gjykues tha se urdhri për të mos lënë të mbijetuar “mund të mos jetë dhenë” dhe e liroi Gavriloviqin, atëherë komandant i batalionit i Brigadës së 549-të të Motorizuar të Ushtrisë jugosllave.

Kozlina u dënua për shkak se kishte qëlluar civilët Maliq Voci dhe Nexhat Bytyqi, të cilët kanë mbijetuar, dhe për urdhrin dhenë ushtarëve që të hapin zjarr në civilët e tjer në fshat, duke shkaktuar vdekjen e 15 njerëzve.

Ky aktgjykim mund të apelohet.

Në mesin e viktimave kishte persona të moshuar dhe një djalë 4-vjeç.

Aktakuza thoshte se Gavriloviq kishte urdhëruar sulmin.

Ai akuzohej se i kishte ndarë njerëzit që i kishte nën komandë në tri grupe dhe i kishte urdhëruar të hynin në fshat dhe të kryenin pastrim etnik të zonës.

Të mbijetuarit e masakrës së Tërnjes druajnë se gjykata serbe nuk sjell drejtësi

www.kallxo.com