Në Galerinë Kombëtare hapet ekspozita me vepra të artistëve francezë (Foto)

Organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada franceze në Prishtinës është hapur sot në mbrëmje ekspozita “Koleksioni francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohorë i Shkupit”.

Ekspozita përmbledhë 49 vepra të artistëve francezë, të disiplinave të ndryshme, si grafika, skulptura, piktura dhe vizatime.

Ekspozita është  realizuar në kuadër të Javës së Frankofonisë dhe do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare deri më 14 prill 2019.

Duke folur rreth ekspozitës dhe nismës për organizimin saj, drejtoreshë e GKK, Arta Agani, ka thënë se hapja e kësaj ekspozite është fryt i një pune bashkëpunimi të disa institucioneve dhe stafeve të tyre, të cilës siç ka thënë ajo, mundësuar hapjen e një ekspozitë me vepra të një prej koleksioneve më të rëndësishme të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup.

“Kjo ekspozitë përfshinë veprat e 49 artistëve të disiplinave të ndryshme, si grafika, skulptura, piktura dhe vizatime  që përfshijnë vepra nga një periudhë e gjatë e krijimtarisë së artit francez”, ka thënë Agani.

Kurse ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, ka pohuar se kjo ekspozitë mbahet në kohën kur kujtohen bombardimet NATO-s, siç ka thënë ai, një moment prekës.

“Është moment prekës sepse kur po festojmë 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s këtë herë po shënojmë ndërhyrjen e artit francez. Është moment i shkëmbimeve të artit. Ekspozita tregon se jemi trashëgimtar të një historie”, u shpreh Chabert, duke shtuar se është hera e parë që një ekspozitë e nivelit të tillë me vepra franceze po shfaqet në Prishtinë, me emra të mëdhenj të pikturës franceze.

Kurse ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se kjo ekspozitë është rezultat i bashkëpunimeve me shtetin fqinj.

Ai ka thënë kjo nuk do të jetë e fundit, pasi sipas tij, në një të ardhme të shkurtër  do të ketë edhe një ekspozitë të artistëve tanë në Shkup dhe po një tjetër ekspozitë nga artistët maqedonas në GKK.

“Ekspozita është rezultat i një pune të përbashkët në mes dy institucioneve tona, galerisë së Shkupit dhe kësaj në Prishtinë.  Kjo është rezultat i një trekëndëshi të bashkëpunimeve, Kosovë, Maqedoni dhe Francës, përmes  ambasadës franceze këtu”, ka thënë Gashi.

Hapjen e ekspozitës e ka përshëndetur edhe këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj.

Ai tha se kjo ekspozitë është treguesi i solidaritetit të popujve, duke shtuar se kryefjala e saj duhet të jetë solidariteti.

“Një solidaritet të tillë e kemi përjetuar edhe ne 20 vjet përpara kur popujt e botës ndërprenë gjenocidin në Kosovë, që ishte edhe gjenocid kulturor që si synim kishte shfarosjen e një kulture të tërë”, ka thënë ndër të tjera Ardian Arifaj.