Zyrtare: Ndeshja Trepça – Fushë Kosova, po hetohet për kurdisje

E hëna në futbollin kosovar ishte pak më ndryshe, pasi ndeshja e Ligës së Parë e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari”, ndërmjet KF Trepçës dhe KF Fushë Kosovës.

Kjo ndeshje fillimisht përfundoi me rezultatin 2:1, në të mirë të vendasve.

Ndeshja ishte vendosur edhe në bastoren më të madhe në botë online “Bet365.com”, dhe ishin vendosur kuota të mëdha për të dalë nga 2-shi në 1sh, që do të thotë edhe ashtu doli, pasi Fushë Kosova në pjesën e parë ishte duke fituar me rezultat 0-1, por të dytën e riktheu Trepça duke e fituar me rezultat 2-1.

KALLXO.com, ka kontaktuar me prokurorin dhe Kryesuesin e Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dukurive Negative dhe Kurdisjeve të Ndeshjeve Besim Kelmendin, i cili e ka konfirmuar se ndeshja është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, menjëherë pasi ka marrë informata nga FFK-ja.

“Na i kemi pranuar, unë jam Kryesuesi i Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dukurive Negative dhe Kurdisjeve të Ndeshjeve edhe kam marrë një informacion prej Federatës së Futbollit se po flitet për kurdisje, pastaj kam kërkuar nga policia menjëherë me i verifiku informatat dhe policia është duke punuar në rast goxha seriozisht”, ka thënë Besim Kelmendi për KALLXO.com.

Ai ka treguar se kanë informacione që e bëjën të dyshojnë se ndeshja ka elemente të kurdisjes.

“Kemi informacione dhe janë bukur do informacione që po e bëjnë dyshimin goxha të bazuar që ka elemente të kurdisjes, mirëpo pa e marrë raportin nga policia ende është herët me e dhanë ndonjë komunikatë. Meqenëse bëhet fjalë për bastore, mundësitë janë që të jenë edhe vendas edhe të huaj, por pa e pasë raportin e policisë nuk mundem të konfirmoj diçka” konfirmon Kelmendi.

Kujtojmë, se Fushë Kosovës iu është dhënë fitorja në tavolinë me rezultat 3-0, pasi KF Trepça kishte futur një lojtar në lojë pa e pasur në protokoll.

Po ashtu Komisioni Disiplinor i Shkallës së Parë, ka shqiptuar dënime edhe për delegatin e kësaj ndeshje dhe zyrtar të Trepçës.

 

Komisioni Disiplinor i FFK-së merr vendim për dyshimet për kurdisje ndërmjet Trepçës dhe Fushë Kosovës

www.kallxo.com