
Sigal Prishtina mposhtet nga klubi belg, Belfius Mons - Foto: Rtv21
Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina pretendon për kurdisje të lojës, Trepça e mohon
Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina përmes një komunikate ka hedhur akuza për manipulim të ndeshjes me Trepçën, e cila u luajt në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Në këtë komunikatë theksohet se dy gjyqtarëve të huaj që po gjykonin ndeshjet e plejofit të basketbollit u është ofruar ryshfet për ta manipuluar ndeshjen.
KB Prishtina këtë gjë e ka konsideruar si skandalin më të madh të basketbollit në Kosovë, duke potencuar se kanë marr edhe videoincizime.
“Kemi zbuluar dhe pastaj kemi bërë kallëzimin e veprës penale ndaj një personi, i cili shihet duke i futur në veturën e tipit Mercedes dy referët grekë të ndeshjes, Zacharis dhe Vardaris, duke i ofruar ryshfet për manipulimin e ndeshjes mes KB Sigal Prishtina dhe KB Trepça, në favor të mysafirëve. Me të vërtetuar rastin kemi njoftuar drejtuesit e FBK-së, të cilët pasi kanë kuptuar rastin kanë biseduar me referët e lartpërmendur dhe ata e kanë pranuar ngjarjen. Kjo është edhe arsyeja se pse këta referë nuk kanë arbitruar ndeshjen”- thuhet në komunikatë.
Klubi bënë të ditur se rastin e kanë lajmëruar në polici dhe se do i drejtohen edhe organizatës më të madhe të basketbollit, FIBA-s, sekretarit Zagklis, si dhe Federatës Greke të Basketbollit.
Lidhur me këtë akuzë ka reaguar Klubli ‘Trepça’ të cilët e kanë mohuar atë duke thënë se nuk janë të përfshirë në këto zhvillime.
“Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me “lojëra” jashtë parketit”- thuhet në njoftimin e këtij klubi.
Ata madje kanë ftuar po ashtu organet e hetuesisë që të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina.