Bernard Challandes

VIDEO - Challandes kritikon mediat për prurjet e reja në kombëtaren e Kosovës

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka kritikuar mediat për mënyrën e raportimit për prurjet e reja në kombëtaren e Kosovës.

Ai ka thënë se mediat nuk duhet të shkruajnë për lojtar të cilët nuk kanë marrë ftesë nga kombëtarja pa pasur konfirmim zyrtar.

“E kuptoj punën e mediave, por nuk duhet të shkruani në lidhje me ndonjë lojtar, pa pasur ndonjë konfirmim zyrtar. Si për shembull rasti i (Florent) Hadërgjonajt, ka pasur lajme se ai do të ftohet qysh në ndeshjet e marsit. Përderisa nuk ka ndonjë reagim nga ana jonë nuk do të thotë që ato lajme janë të vërteta. Janë disa procedura që zgjasin kur ftohet një lojtar dhe i bëj thirrje mediave që të mos shkruajnë lajme të tilla”, ka thënë Challandes.

Ai konfirmoi se ai dhe Federata e Futbollit të Kosovës janë në kontakt me një numër futbollistësh të rinj për t’i sjellë në kombëtare në të ardhmen.

Të enjten, Kosova luan një ndeshje miqësore ndaj Danimarkës përderisa më 25 mars do ta presë Bullgarinë në xhiron e parë të kualifikimeve për kampionatin europian të vitit të ardhshëm.