Pamje nga ndeshja Kosova-Malta - Foto: Atdhe Mulla

Sermaxhaj: Kosova duhet të luaj vetëm për fitore ndaj Maltës

Kosova  sot do ta ketë sfidën e radhës në futboll përballë Maltës, prej orës 18:00, ndeshje kjo që luhet në kuadër të Ligës së Kombeve në Grupin 3.

Analisti sportiv dhe ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Genc Sermaxhaj analizoi gjasat e kombëtares në këtë ndeshje.

Sermaxhaj thotë se për Kosovën secila ndeshje është e rëndësishme, por ajo ndaj Maltës duhet të jetë me plot përkushtim dhe dëshirë për fitore. Madje ai thotë se kjo është ndeshja më e vështirë në këtë grup.

“Për Kosovën secila ndeshje është e rëndësishme por kjo e radhës duhet të jetë me plot përkushtim dhe dëshirë për fitore pavarësisht se Maltën e kemi mposhtur në terrenin tonë, nuk duhet të konsiderohet si ndeshje e lehtë, madje është ndeshja më e vështirë në këtë grup, dhe nëse e kalojmë me rezultat pozitiv atëherë do të jemi më të qetë për ndeshjen ndaj Azerbejxhanit”, thotë Sermaxhaj fillimisht.

Sermaxhaj thotë se Kosova të shtunën kundër Maltës duhet të futet në lojë me plot vetëbesim në mënyrë që të kthehen në Kosovë me fitore.

“Kosova është lider i grupit dhe ndeshjen e së shtunës duhet të futet në lojë me plot vetëbesim, të kontrollojë lojën që nga minuta e parë, dhe të konkretizojmë rastet e shënimit. Gjithashtu të bëjnë përpjekje të rikthejnë topin në posedim shpejt pas humbjes ngase çdo posedim i lartë i topit fitohet vetëbesim i madh. Të gjithë duhet të jenë optimist për fitore por gjithmonë duhet që futbollistët të jenë të kujdesshëm sepse është rast i mirë që të kthehemi me fitore nga Malta”, thotë Sermaxhaj për KALLXO.com.

Genc Sermaxhaj

Genci ka thënë se prurjet e reja në Kosovë, po e pasurojnë Kosovën, të cilët edhe po e rrisin konkurrencën në kombëtare. Ai ka komentuar edhe dilemën për portierin, Ujkani apo Muric. Genci thotë se do të vazhdonte me Ujkanin, por duke ia bërë me dije se çdo gabim i vogël do t’i kushtonte Ujkanit.

“Kosova çdo ditë po pasurohet me futbollistë të rijnë nga ekipet e mëdha evropiane, rasti i fundit me portierin Man City, i cili ka shtuar konkurrencën në kampin tonë dhe është një motiv shtesë për  lojtarët tjerë të përfaqësueses sonë në këto ndeshje, ngase vjen nga një klub i madh anglez i udhëhequr nga trajneri më i mirë në botë Pep Guardiola. Sidoqoftë Chalandes vendos për portierin startues, por unë do të vazhdoja me Ujkanin duke ia bërë të ditur se çdo gabim kushtor edhe për Kosovën edhe për vet Ujkanin. Konkurrenca në ekipe dhe përfaqësuese duhet të jetë e shëndoshë për të pasur sukses, ndryshe nuk bënë” specifikon ish-futbollisti i Kosovës.

Ndeshja do të luhet prej orës 18:00, ndërmjet Maltës dhe Kosovës në stadiumin nacional “Ta ‘ Qali”.