Ruajtja e ushqimit për bebe, çfarë duhet të dinë prindërit

Gjenetika, stili i jetës dhe mënyra e ushqimit të një fëmije janë determinuese për shëndetin e tij.

Me jetën dinamike shumë nëna dëshirojnë të përgatitin ushqim të shëndetshëm, por në pamundësi për ta bërë disa herë në ditë Mamia Razije Musa thotë se atë ushqim ato mund ta ruajnë në frigorifer deri në gjashtë muaj.

“Një ushqim i bebes mund të ruhet në frigorifer apo të vendoset në friz e të ruhet për gjashtë muaj. Normal që mund të bëni ushqime të freskëta gjithmonë, por ne po flasim për të gjitha ato nëna që nuk kanë kohë të përgatitin çdo herë, vlerat e pemëve dhe perimeve nuk humbin nëse zihen në avull”, thotë Musa.

Ajo thotë se kur flasim për bebet gjashtë muajshe të cilat vetëm fillojnë fazën e ushqimit solid gjithmonë duhet larguar lëvoren e pemëve, apo perimeve para se ato të zihen në avull.

“Paraprakisht e kam përgatitë një mollë, një dardhë dhe një kungulleshkë, këto i ndaj dhe nuk i miksoj bashkë sepse miksimi i krijon një shije të paidentifikueshme bebes. Unë pasi që i ziej ato i miksoj ndaras, pasi që i miksoj i vendosi nëpër katrore të vogla që janë sterilizuar më herët aty e shënoj datën dhe produktin, gjithmonë preferoj që produkti të përdoret brenda gjashtë muajve”, thotë Musa.

Sipas saj një ushqim i bebes ka afat të qëndrueshmërisë ndryshe nëse lihet në frigorifer e ndryshe në ngrirje.

“Unë kam përgatitur një mollë që e vendosi në një kavanoz të sterilizuar më herët, pasi që ftohet për një apo dy orë e mbyllur hermetikisht e pa hapur asnjëherë ruhet për 48 orë, asnjëherë mos e leni në derën e frigoriferit, por leni në brendi të saj. Nëse e keni hapur kavanozin dhe keni filluar të ja jepni bebes atëherë vetëm 24 orë ka afat ky ushqim”.

Sipas saj është shumë me rëndësi që fëmijët të ushqehen me ushqimin e përgatitur në shtëpi pasi që perimet e pemët e bëra vetë kanë vlera ushqyese shumë më tepër dhe janë të freskëta.

Ajo thotë se këto metoda janë mike të nënave që janë në marrëdhënie pune dhe nuk kanë kohë të përgatitin gjithmonë ushqimin për bebet e tyre.