Ilustrim - Infeksionet

Rreziqet nga infeksionet brenda spitaleve në Kosovë - VIDEO

Një prej sfidave globale të shëndetit publik janë infeksionet që pacienti i merr në spital gjatë kujdesit shëndetësor për sëmundje tjera. Këto infeksione kanë shkallë të lartë të sëmundshmërisë, vdekshmërisë dhe kostos për sistemet shëndetësore, thotë për KALLXO.com mikrobiologu Lul Raka.

“Ka pasur hulumtime edhe në Kosovë i pari është bërë para diku 12 vjetëve dhe ka dalë një përqindje mjaft e lartë deri në 17 përqind kurse bërthama apo epiqendra e problemit janë pacientët e kujdesit intenziv”, thotë Raka.

Sipas tij, në opinion nuk duhet të krijohet përshtypja se në spital nuk duhet të ketë infeksione sepse edhe në spitalet më të mira në botë ndodhin ato. Por, sipas Rakës, numri i tyre nuk guxon të jetë i lartë ndërsa theks të veçantë në parandalimin e infeksioneve në spital ai i jep menaxhimit të hyrje daljeve të vizitorëve.

“Fatmirësisht kohëve të fundit kujdesi intenziv është transferu në objektin e ri i ka kushtet më të mira se para dy tre viteve ku ka pasur qasje prej pacientëve të cilët janë futur në kujdes intenziv herë me pajisje e herë pa to, pa kontrollë që është totalisht e palejueshme. Pacientët në kujdesin intenziv janë në rrezik jete çdo prishje e barrierës është rrezik për ata. Shumë shpesh nënvlerësohet dëmi potencial që i shkaktohet, gjatë sezonit të dimrit që shkojnë tre ose katër futen në spital munden me qenë me grip gjatë kollitjes, e të folurit qesin numër të konsiderueshëm mikroorganizma duke e rreziku familjarin e vet por edhe të tjerë. Vizitat duhet të kufizohen dhe të ndalohen fare”, thotë ai.

Dr. Lul Raka

Mikrobiologu thotë se kujdes duhet kushtuar sidomos kujdesit intenziv te të posalindurit pasi që ata janë edhe më të ndjeshëm se të rriturit. Raka thotë se në Kosovë ka shumë punë për të bërë për shkak se shumë spitale rajonale nuk i kanë aktive këshillat për infeksione spitalore në mënyrë që të raportohen ato. Ndërsa QKUK e ka aktiv Këshillin por ka vetëm tre infermierë që merren me monitorimin dhe raportimin e infeksioneve për 2 mijë shtretër.

“Me standarde ndërkombëtare, europiane në çdo 250 duhet të ketë një infermierë që i bjen që QKUK duhet t’i ketë 8 ose 9. Ky numër është i pamjaftueshëm, fokusi i tyre ka qenë në pikat më të ndjeshme, normal që ka hapësirë të madhe për përmirësim”, tha ai.

Profesori i mikrobiologjisë thotë se për herë të parë që nga paslufta në Kosovë pritet të merren masa konkrete për menaxhimin e infeksioneve brenda spitalore.

“Vitin e kaluar Ministria ka vendosë me përgatit një plan nacional për parandalimin e infeksionit dhe ka mbetur vetëm të nënshkruhet, për herë të parë do të mbështetet financiarisht si plan veprimit, lajm i mirë është që kanë vendos me nda buxhet për me adresu problemin. Do të fillojmë prej mbikëqyrjes, fuqizimit të këshillave nëpër spitale, duke e fuqizu raportimin duke u fokusu në edukimin dhe trajnimin e punëtorëve shëndetësore sidomos ata në nivel të rrezikut të lartë”, thotë Lul Raka. (video 00036)

Të pyetur nga KALLXO.com, QKUK thotë se ata kanë izoluar hyrjet kryesore dhe janë mbyllur dyert hyrëse në emergjencë dhe në klinikat interne ku ka pasur prani të madhe të palëve.

“Tashmë stafi ka më shumë komoditet në punë dhe e ka më të lehtë punën, në të njëjtën kohë janë ulur dukshëm infeksionet spitalore.Poashtu, në shumë klinika është investuar në infrastrukturë të brendshme, përfshirë renovimet e përgjithshme të nyjeve sanitare, mureve dhe dyshemeve, duke ngritur dukshëm edhe nivelin e higjienës”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Përderisa QKUK thotë se është marrë me problemin ekspertët udhëzojnë që si hap të parë për parandalimin e infeksioneve të bëhet pastrimi i shpeshtë i duarve, ndërsa KALLXO.com ka raportuar disa herë për mungesat bazike në QKUK si shampon, letër, dorëza sterile e të tjera.

Inspektorati ka rekomanduar QKUK-në që salla e operimit në kirurgji plastike që ka më së shumti raste të raportuara të infeksioneve spitalore të mos përdoret për operime edhe nga klinikat tjera.

https://kallxo.com/pacientet-dhe-mantelbardhet-te-rrezikuar-nga-infeksionet-intraspitalore/

.