Reagon FFK: Feronikeli nuk ka të drejtë t’ua ndalojë fëmijëve hyrjen në stadium

Ndeshja Feronikeli – Prishtina, që luhet të dielën prej orës 16:00, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, do të luhet pa prezencën e personave nën moshën 15 vjeçare, ka bërë të ditur klubi nga Drenasi.

“Fëmijët nën moshën 15 vjeçare, nuk do të lejohen të futen në stadium edhe nëse posedojnë biletë (për shkak të interesimit të madh për këtë ndeshje dhe vendeve të limituara)”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.

KALLXO.com ka kontaktuar Eroll Salihun, Sekretar i Përgjithshëm i FFK-së, i cili ka thënë se në ndeshje nuk duhet të ketë asnjë lloj kufizimi për askënd.

Ai ka thënë se FFK-ja nuk është e njoftuar për asgjë zyrtarisht, mirëpo, sipas tij, përgjegjësinë do ta marrë klubi nga Drenasi.

“Normal nuk duhet me pasë kurrfarë kufizimi, as për fëmijë as për gra as për shikues mysafirë. Unë këtu nuk e di a janë skenar a çka janë, nuk po kuptoj më, por çfarëdo që ndodh përgjegjësinë e merr Feronikeli. Ne nuk dimë zyrtarisht asgjë, por është shkelje, nuk mundesh me ja ndalu askujt hyrjen në stadium, as grave, fëmijëve as askujt me ia ndalu hyrjen në stadium e përgjegjësinë për siguri e merr vet. Nuk e di çfarë problemi kanë, Feronikeli kanë qenë shembull për shikues deri tashti, kështu që nuk bën me bo kësi presioni para xhiros së fundit”, ka thënë Salihu për KALLXO.com.

Feronikeli penalizon fëmijët, nuk i lejon ta shikojnë ndeshjen kundër Prishtinës në stadium

Ai thotë se FFK-ja nuk ia ndalon asnjë shikuesi, të asnjë gjinie, moshës, të shikoj një ndeshje. Sipas Salihut, nëse një prind e merr fëmijën e tij për ta parë ndeshjen në mënyrë të rregullt me biletë, atëherë skuadra nga Drenasi duhet t’i lejojë të hynë ata në stadium.

“Pse me i ndalu fëmijët, mos po dëshirojnë me bo luftë aty a çka. FFK-ja thotë se nuk kanë të drejtë me e ndalë asnjë shikues të asnjë gjinie dhe as të moshës, nëse një prind e merr fëmijën e vet dhe e nxjerrë biletën në mënyrë të rregullt aton duhet me e lanë me hi” përfundon Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së.