Lojtarët e Crvena Zvezdës në Graçanicë vitin e kaluar - Foto: KALLXO.com

Sekretari i FFK-së: Nuk do të lejojmë Crvena Zvezdën të vijë në Kosovë

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka folur për KALLXO.com në lidhje me deklaratën e OSBE-së, e cila i ka bërë thirrje FFK-së që ta lërë anash politikën dhe t’i lejojë futbollistët e Crvena Zvezdës të vijnë në Kosovë për ndeshjen kundër Graçanicës.

Salihu ka treguar për KALLXO.com se sot i kanë telefonuar nga OSBE-ja. Këtij misioni, sipas sekretarit të FFK-së, i është bërë e qartë se s’do të lejojnë ekipin serb të vijë në Kosovë.

“Mua sot më ka thirrë një asistente e ambasadorit të OSBE-së. Unë i kam tregu se qysh është rasti. Tre herë i kemi toleru edhe kemi dashtë me iu ndihmu. Herën e fundit na kanë premtu që s’do të ketë parulla dhe kjo ka ndodhë për të tretën herë me rend dhe ne s’mundemi me marrë përgjegjësi sepse njerëzit, mediat dhe institucionet janë të frustruara”, tha për KALLXO.com Eroll Salihu.

“Ne nuk mundemi me dhanë leje, pa marrë parasysh çka munden me thanë ata. Ama ne nuk mundemi me dhanë leje që ata me ardhë midis Kosove me ba propaganda antishqiptare dhe kjo s’ka kurrfarë dobie”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Salihu ka treguar që vetë kryetari i Federatës, Fadil Vokrri e ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Graçanicës, Sërxhan Popoviq të cilit i ka premtuar ndihmë, por jo edhe lejimin e ndeshjes.

“Kryetari Fadil Vokrri ka biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Graçanicës dhe i ka thënë që jemi të gatshëm me u ndihmu dhe na nëse është nevoja dhe është për çështje humanitare, por ma nuk mundemi me leju me ardhë me bo kësi ofendime ndaj popullit midis Prishtine”, tha në mes tjerash Salihu për KALLXO.com.

Para disa orësh, Misioni i OSBE-së në Kosovë përmes një komunikate për media i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që ta lejojë klubin e Crvena Zvezdës të luajë ndeshjen humanitare.

http://kallxo.com/osbe-i-kerkon-ffk-se-ta-lejoje-crvena-zvezden-te-luaje-ne-gracanice/

Kjo thirrje ka ardhur pas vendimit të FFK-së për të mos e lejuar ndeshjen Crvena Zvezda – Graçanica.