Eroll Salihu është emëruar drejtor për Çështje Sportive në FFK

Eroll Salihu është liruar nga detyra e Sekretarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për t’u emëruar drejtor për Çështje Sportive – Këshilltar senior Ligjor.

Ky vendim, është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Salihu e falënderoi KE dhe presidentin Agim Ademi, duke potencuar se ka shërbyer për 15 vjet si Sekretar i përgjithshëm dhe tash dëshiron t’i kthehet çështjeve profesionale sportive dhe ligjore”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu, i njëjti është anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s dhe kryetar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv në Komitetin Olimpik të Kosovës, pozita që do t’i mbajë edhe më tutje.

Në këtë mbledhjen e Komitetit u diskutua edhe për ecurinë e përgatitjes së aftësimit dhe instalimit të sistemit VAR, duke konstatuar se ky sistem do të fillojë me ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e cila do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të vazhdojë edhe me ndeshjet e Superligës.

Temë tjetër diskutimi ishte dhe përgatitja për fillimin e Kampionatit të ri 2021/2022, ku dhe u konstatua se përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.