MKRS përkrah tri federata të sportit me mbi 750 mijë euro

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, në kuadër të mbështetjes financiare për federatat e sportit sot ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me 3 federata të sporteve kolektive. Shuma totale e mbështetjes financiare arrin vlerën mbi 750 mijë euro, sipas MKRS-së.

Memorandumet e sotme u nënshkruan me Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila është  mbështetur me 276 mijë e 590 euro, me Federatën e Hendbollit, të cilës do t’i ndahen 245 mijë e 752 euro dhe me Federatën e Volejbollit të Kosovës, e cila u përkrah me 243 mijë e 678 euro.

Në bazë të këtyre  memorandumeve, këto tri federata janë të obliguara që këto mjete t’i shfrytëzojnë për realizimin e politikave të tyre programore.

Ministri Kujtim Gashi me këtë rast tha se këto memorandume nënshkruhen në kuadër të realizimit të përkrahjes së drejtpërdrejtë të federatave. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për sportet kolektive, ku masiviteti në sport është njëri ndër prioritetet e ministrisë.

“Me këtë përkrahje, ministria po krijon mundësi dhe po ua lehtëson federatave realizimin e planeve dhe objektivave të tyre. Me këto memorandume krijohen federatat do të funksionojnë me më efikasitet, do të kenë pavarësinë e plotë për ta avancuar sportin në Kosovë”, u shpreh ministri Gashi.

Në anën tjetër, drejtuesit e federatave e falënderuan ministrin për përkrahjen që po i ofron sportit në përgjithësi. Ata u shprehën se me mbështetjen që MKRS-ja ka dhënë për federatat përkatëse, do të ndihmohet sporti dhe sportistët, duke premtuar se do të fokusohen në masivizimin dhe cilësinë në sport.