Xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova pritet shpejt të marrin nga 100 mijë euro shpërblim nga MKRS

Xhudistet kosovare, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova triumfuan në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke ia sjellur Kosovës dy medalje të arta.

Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, do të shpërblehen nga shteti i Kosovës në bazë të suksesit të arritur.

Sipas kësaj rregulloreje, Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës u takojnë nga 100 mijë euro shpërblim.

Kurse, trajnerit 50 mijë euro për çdo medalje të artë olimpike.

Këto shpërblime, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajneri Driton Kuka, ende nuk i kanë pranuar nga Ministria e Kulturës edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka konfirmuar për KALLXO.com se paratë do t’i ndahen dy xhudistëve dhe trajnerit të tyre Driton Kuka.

MKRS-ja ka bërë të ditur se janë duke planifikuar që këto shpërblime t’ia ndajnë xhudistëve dhe trajnerit Kuka në fund të muajit shtator.

“Shpërndarja e parave do të bëhet siç e parasheh rregullorja. Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës do t’u ndahen nga 100 mijë euro, kurse trajnerit Kuka do t’i jepet shpërblimi për dy sportistet. Shpërblimet është planifikuar të ndahen në fund të muajit shtator”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit për KALLXO.com.

Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë më 24 korrik të këtij viti duke e mposhtur japonezen Funa Tonaki në kategorinë deri në 48 kilogram.

Dy ditë më vonë, më 26 korrik, Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogram në Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Tokio.

Kujtojmë që Komiteti Olimpik i Kosovës i ka shpërblyer me nga 10 mijë euro Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, kurse trajnerin Driton Kuka me 5 mijë euro.