Ministria e Kulturës pagoi 31 ish-pjesëtarë të strukturave paralele pa ditur çfarë bëjnë

Zyra Kombëtare Auditimit ka konstatuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paguar 31 pjesëtar  të “Mbrojtës civile”, pa ofruar ndonjë dëshmi rreth vijueshmërisë në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2019. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2019 për këta pjesëtarë ishin 150,789 euro.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë nr.06/39 i dt. 22.07.2015, 31 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’ ishin caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit. Për këta zyrtarë, MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi, siç janë: vijueshmëria në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2019. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2019 ishin 150,789€”, thuhet në Raportin e ZKA-së për pasqyrat vjetro financuare të MKRS-së për 2019.

Sipas auditorit kjo ka ndodhur si pasojë e sfidave në akomodimin dhe strukturimin e qartë të stafit në njësit ku është dashtë të pozicionohen. MKRS këtë çështje e ka ngritur edhe në organet qeveritare.

Auditori konstaton se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim të buxhetit sipas vlerës së shpenzimit, njëkohësisht mos arritje të objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mos integrim të këtij komunitetit në sistemin aktual.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. Në të kundërtën, këtë problem ta adresoj edhe në Qeveri, duke qenë se problemi si i tillë, po përsëritet për vite me radhë dhe asnjë masë drejt zgjidhjes nuk është ndërmarrë”, thuhet në rekomandimin e auditorit.