Parashikimi i motit - Foto: Rtv21

Këshillat e Mjekut: Temperaturat e larta dhe fëmijët

Stina e verës karakterizohet me temperatura të larta rrjedhimisht edhe të rrezikshme për çdo moshë. Është e rëndësishme që kujdes t’i kushtohet edhe moshave pediatrike thotë për KALLXO.com pediatrja Arbnore Batalli Këpuska.

“Në këtë sezonë përveç sëmundjeve të traktit respirator dominojnë shumë edhe rastet me barkqitje dhe vjellje të cilat shpesh herë shoqërohen me temperature trupore deri 40C”, thotë ajo.

Sipas saj, në këtë stinë duhet pasur kujdes qe asesi fëmijët të mos dalin në diell prej orës 11 deri në orën 17:00.

“Të kenë kujdes prindërit me ruajtjen e ushqimit në temperatura të ulëta. Të bëhet larja e duarve para marrjes së çdo ushqimi. Të rehidrohen sa më shume me marrjen e ujit dhe lëngjeve tjera” thotë Batalli Këpuska.

Doktoresha sugjeron prindërit që fëmijët e sëmurë të mos i dërgojnë në institucione parashkollore për shkak të përhapjes së infeksionit.

Sipas saj ankesat më të mëdha janë barkqitjet dhe vjelljet.

Arbnore Batalli Këpuska, pediatre

“Në përqindjen ato më të madhe shkaktohen nga viruset si janë rotavirus dhe adenovirusët e verës. Ato mund të shkaktohen edhe nga ushqimi i intoksikuar nga bakteriet”

Prandaj doktoresha rekomandon që ushqimet të përdoren të freskëta dhe të përgatitura në kushte shtëpie e mos të përdoren ushqimet e shpejta.

“Të përdoren më tepër peme e perime ta cilat duhen të pastrohen mirë me sodë bikarbone ose uthull molle për shkak të pranisë se pesticideve. Te temperaturat trupore mbi 38C të bëhet larja e fëmijës sa më shpesh. Nëse temperatura nuk zbret atëherë të paraqiten sa më shpejt te mjeku me i afërt”, thotë ajo.

Sipas doktoreshës rëndësi të madhe ka që fëmijët të ruhen nga temperaturat e larta dhe rrezet e forta të diellit dhe të shijojnë ambientet e jashtme në mëngjeset e hershme apo të dalin pas orës 17:00.