Dr. Memli Morina

Këshillat e Mjekut: Përparësitë e shtatzënësisë në verë

Çdo shtatzënë, e sidomos ato që presin fëmijën e parë, stresohet se si do t’i përballojë ditët e nxehta të verës.

Por, vera mund të jetë me shumë benefite për ato, thotë gjinekologu-obstetër Memli Morina.

“Në muajt e verës mund të ecni dhe të notoni sa herë të doni dhe kjo është një përparësi e mirë për secilën shtatzënë. Ecja është një nga ushtrimet më të mira dhe kur koha është e mirë e me diell ju mund të ecni rehatshëm në orët e paradites ose në mbrëmje”, thotë Morina.

Sipas doktorit, noti është sporti më i përkryer për shtatzënat, prandaj gjatë verës mund të shfrytëzojnë pishinat ose detin për të bërë not.

Gjinekologu thotë se shtatzëna duhet të shfrytëzojë faktin se shumë fruta e perime e kanë kohën e konsumit në verë, prandaj mund të ushqehen shëndetshëm.

“Përmes këtyre ushqimeve mund të merrni të gjitha vitaminat dhe mineralet e nevojshme për ju dhe për beben tuaj. Ditët me diell ju mundësojnë që të keni mjaftueshëm vitaminë D, por keni kujdes që të mos ekspozoheni shumë në diell”, thotë ai.

Doktori tërheq vërejtjen se mungesa e vitaminës D lidhet me diabetin gestacional, preeklampsinë dhe me vaginozën bakterore.

Morina thotë se benefit tjetër për shtatzënat në verë është edhe garderoba.

“Gjatë të verës mund të veshin rroba të gjera që iu mundësojnë atyre të ecin dhe të rrinë lirshëm. Po ashtu, edhe këpucët e rrafshëta dhe të lehta mund të vishen më kollaj gjatë verës se sa në muajt e dimrit kur bora dhe shiu e pamundësojnë që të vishen këpucë të lehta”, thotë ai.

Doktori sygjeron që të konsumohen pije të ndryshme gjithmonë duke e shmangur alkoolin, ndërsa thotë se bebet e verës kanë edhe benefite shëndetësore.

“Bebet që lindin në muajt e verës ka më pak mundësi që të kenë infeksione të rrugëve të frymëmarrjes të cilat shfaqen më shpesh në fund të vjeshtës dhe në dimër”, thotë gjinekologu.