Jurgen Klopp tregon pse e bleu Xherdan Shaqirin

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp, ka thënë se shpejtësia, aftësia dhe arroganca e Xherdan Shaqirit në fushë e kanë bindur atë që ta angazhojë në ekipin e njohur anglez.

Shaqiri ka nënshkruar sot një kontratë disavjeçare me Liverpulin, klubin që sivjet arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve.

Deri më tani, Shaqiri luante për klubin anglez Stoke City, i cili u largua PremierLiga. Para Stoke, Shaqiri ka luajtur për klubet Bazel, Bajern Mynih dhe Inter.

Fjalët e para të Xherdan Shaqirit si lojtar i Liverpulit

“Ai ka shpejtësinë dhe aftësinë, ka sasinë e duhur të arrogancës në fushë të futbollit, trimërinë reale për ta marrë topin dhe ndikon në gjërat në fushë. Për të luajtur te ne, këto janë kërkesa obligative”, tha Klopp pasi futbollisti me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit vuri ngjyrën në letër për këtë klub.

“Ne jemi klubi i përkryer për të në këtë moment sepse ai duhet ta shtyjë veten në sfida dhe mjedisi ynë e inkurajon këtë. Ne duam që ai ta shprehë veten dhe të përmirësohet në gjërat ku mundet ende të arrijë progres”, shtoi Klopp.

“Nga perspektiva jonë, ai është lojtar që bën dallimin e madh në skuadër sepse mund të përshtatet në shumë pozita në sistemin tonë. Ai na jep fleksibilitet të madh në atë se si mund t’i përdorim lojtarët”, tha Klopp.

Ai shtoi se e njeh Shaqirin që nga koha kur ky i fundit luante në Zvicër dhe sidomos në Gjermani dhe sa ka qenë për një kohë të gjatë adhurues i tij.

“Por vlerë e shtuar është që ai tashmë e njeh Premier Ligën dhe posedon gjithçka që i duhet për këtë mjedis unik. Ai gjithashtu luajti mirë në Kupën e Botës kështu që po vjen te ne me plot besim”, tha Klopp.

Mesfushori zviceran me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri, ka nënshkruar sot marrëveshje me njërin ndër klubet më të njohura të futbollit anglez dhe europian, Liverpul.

Atij i është ndarë fanella me numrin e tij të preferuar 23.

Raportohet se për Shaqirin, i cili deri tani ka qenë lojtar i klubit Stoke City, klubi i Jurgen Klopp ka paguar rreth 14 milionë funta.

Duke folur për sajtin e klubit menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, Shaqiri tha se ndjehet i lumtur që ka nënshkruar për Liverpulin.

“Është një klub i madh me histori të madhe, lojtarë të mëdhenj dhe një trajner fantastik. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha lojtari nga Zhegra e Gjilanit i cili luan për ekipjn kombëtar të Zvicrës.

“Si lojtar, ju gjithmonë dëshironi që të arrini në pikën më të lartë në futboll. Disa vjet më parë unë pata dëshirë të vij këtu por kjo nuk ndodhi. Jam shumë i lumtur që përfundimisht jam këtu. Dua të përmirësohem, dua të jem me më të mirët dhe të fitoj tituj. Kjo është arsyeja pse jam këtu”, tha 26 vjeçari.