Foto: FC Prishtina/ Twitter

Futbollisti i Prishtinës huazohet në Dritë

Skuadra kampione e Kosovës, Drita, sot ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të djathtë, Perparim Osmani, duke e marrë në huazim për gjashtë muaj.

Mbrojtësi 30-vjeçar, me Prishtinën ka kontratë deri në qershor, por minutat e pakta në këtë sezon, ka bërë ai ta pranojë transferim te skuadra gjilanase.

Ai ka thënë se nuk ka qenë aspak e lehtë të largohet nga Prishtina.

“Nuk ka qenë e lehtë, aspak e lehtë që të largohem nga një klub shumë mirë i organizuar me një kolektiv shembullor. Mirëpo futbolli i ka këto gjëra dhe besoj nuk ka asnjë të keqe, sepse të dy palët kemi qenë shumë korrekt. Te Prishtina kam kaluar momente jashtëzakonisht të mira dhe jam krenar që kam qenë pjesë e Prishtinës, sidomos në paraqitjet dy vite rresht në Europa Ligë. E falënderoj udhëheqjen e klubit, stafin e trajnerëve dhe të gjithë bashkëlojtarët për çastet e mira të kaluara për një vit e gjysmë duke u dëshiruar sukses dhe më në fund të rikthejnë sërish titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë Përparim Osmani për faqen zyrtare të Prishtinës.

Osmani për Prishtinën ka regjistruar për një vit e gjysmë 29 ndeshje zyrtare duke asistuar në dy gola, ndërsa është paraqitur edhe në tre ndeshje ndërkombëtare në Evropa Ligë.

Osmani me Prishtinën ka fituar një trofe, gjegjësisht Kupën e Kosovës më 2017/18.