FOTO: Prishtina e mposht lehtësisht Rahovecin

KB Prishtina e ka mposhtur KB Rahovecin me rezultat të thellë 110-82 në kuadër të fazës finale të play –off-it.

‘Kryeqytetasit’ me fillim ia bënë me dije Rahovecit se fitorja do të mbetej në shtëpi të tyre, duke hyrë në një seri prej 18-4.

Çerekun e parë ‘bardhekaltrit’ e mbyllën me rezultat 32-18 në favor të tyre.

Edhe çereku i dytë ishte i dominuar nga vendasit, pasi e thelluan rezultatin duke e përfunduar pjesën e parë me 28 pikë epërsi, 60-32.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri kroat Damir Mulaomerovic e fitoi edhe çerekun e tretë me rezultat 29-22.

Të vetmin çerek që e fitoi Rahoveci ishte ai i fundit, pasi Prishtina veçse e kishte siguruar fitoren dhe i provoi lojtarët e rinj që ta kenë edhe ata shansin që të kenë minuta në një finale.

E vetmja gjë pozitive sonte nga Rahoveci ishin tifozët ‘Vreshtarët’, ku e përkrahën skuadrën e tyre deri në sekondat e fundit të ndeshjes, pavarësisht humbjes.

Lojtari më i dalluar te Prishtina ishte Dardan Berisha me 20 pikë.

Ndërsa te Rahoveci ishte Deshon Minnis me 30 pikë.

Ndeshja e dytë do të luhet të dielën në Rahovec.

Kujtojmë se cila skuadër i bën tri fitore shpallet kampion.