Çka mund të sjellë xhiroja e ardhshme e Superligës së Kosovës në futboll?

Të shtunën dhe të dielën në Superligën e Kosovës në futboll do të luhet xhiroja e 19-të me tri ndeshje që do të zhvillohen të shtunën dhe tri tjera të dielën.

Të gjitha ndeshjet fillojnë prej orës 13:00.

Aktualisht pas 18 xhirove, kryesimin në Superligë e ka rrëmbyer Feronikeli me 42 pikë, dy më shumë se Prishtina e cila gjendet në vendin e dytë dhe katër më shumë se Llapi i cili pozicionohet në vendin e tretë.

Ndërkohë lufta për t’i ikur zonës së barazhit dhe pozitës që të dërgon direkt në Ligën e Parë, po bëhet më e ashpër.

Pasi prej pozitës së 11-të ku është Ferizaji e cila të dërgon në Ligën e parë e deri në pozitën e tetë, pozitë e cila të mban në ligë, dallimi është vetëm gjashtë pikë.

E vetmja skuadër pa shpresë në këtë është KEK-u, pas 18 xhirove me vetëm një pikë.

Drenica e pret Ferizajn e Bylbyl Sokolit, e cila i befasoi të gjithë në xhiron e kaluar duke e mposhtur Trepçen 89’, me rezultat 2-0.

Drenica xhiron e kaluar u mposht nga Ballkani dhe me këtë humbje rrezikon që të futet në zonën e barazhit, nëse nuk arrin t’i marrë pikët e plota ndaj Ferizajt.

Kurse Ferizaj kërkon që në heshtje t’i rrëmbejë tri pikë të reja në mënyrë që nga zona e cila e dërgon në Ligën e Parë, të kalojë në zonën e cila e dërgon në barazh.

Pra, fitorja për secilën skuadër do të jetë jetike dhe do të jetë e paparashikueshme.

Ndeshja më interesante e ditës së shtunë pritet të jetë, ajo ndërmjet Gjilanit dhe Flamurtarit.

Në këtë ndeshje Gjilani do të kërkojë që t’i rikthehet fitoreve pas humbjes në derbin lokal ndaj Dritës, si pasojë e së cilës e shkarkuan edhe trajnerin Sadat Pajaziti.

Gjilani aktualisht pozicionohet në vendin e katërt me 27 pikë, por në rast se nuk fiton në këtë ndeshje rrezikon që ta humbasë atë.

Kurse, Flamurtari në këtë ndeshje vjen e motivuar pasi e mposhti Prishtinën me rezultat 2-0.

Flamurtari aktualisht pozicionohet në vendin e gjashtë me 25 pikë, prandaj për t’u akomoduar i duhet fitorja, pasi në rast të humbjes i ofrohet pozitës të cilën mund ta dërgojë në barazh.

Skuadra e Ballkanit do ta presë në Suharekë KEK-un e pashpresë në këtë sezon.

Ballkani aktualisht pozicionohet në pozitën e tetë me 24 pikë dhe është vetëm dy pikë largë zonës së barazhit.

Ndërsa KEK-u, pozicionohet e fundit me vetëm një pikë të cilën e kishte fituar në sezonin vjeshtor pikërisht ndaj Ballkanit në barazimin 2-2.

Ballkanit fitorja do t’i kryente punë shumë, pasi do të ngritej në tabelë dhe do të largohej sigurt nga zona e barazhit.

Ndërsa për KEK-un, fitorja do t’ia rikthente krenarinë ekipit dhe vetëbesimin se deri në fund të sezonit mund t’i marrin pikë ekipeve.

E diela me 24 shkurt në futbollin kosovar do ta ketë vëmendjen në ndeshjen Feronikeli – Llapi, ndeshje e cila cilësohet si e vlefshme për titullin e kampionit.

Feronikeli është liderë e Superligës me 42 pikë, fitorja ndaj Llapit do t’i krijonte komoditet skuadrës nga Drenasi.

E për Llapin kjo fitore do të jetë jetike në garën për titull, pasi është vetëm katër pikë largë Feronikelit e cila është në vendin e parë dhe dy pikë nga Prishtina.

Në sezonin vjeshtor, Feronikeli e kishte mposhtur Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” me një lojtar më pak pasi Kastriot Rexha ishte ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 43’, por golin e tri pikëve e kishte shënuar Astrit Fazliu në minutën e 72’.

Në pesë ndeshjet e fundit ndërmjet këtyre skuadrave, tri kanë përfunduar me barazim dhe nga një fitore e ka secili ekip.

Përballje interesante prite të jetë ajo ndërmjet Prishtinës dhe Lirisë e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Prishtina pas humbjes befasuese ndaj Flamurtarit në xhiron e kaluar e cila i kushtoi me humbjen vendit të parë, kërkon që ndaj Lirisë t’i ndalë tri pikë në shtëpi dhe ta presë gabimin eventual të Feronikelit ndaj Llapit. Por një hap fals i  Prishtinës në këtë ndeshje mund ta dërgojë atë në vendin e tretë nëse fiton Llapi.

Ndërsa skuadra e Lirisë, në këtë ndeshje do të vijë me synimin që t’i befasojë kryeqytetasit, pasi pozicionohet në vendin e 10-të me 19 pikë, vend ky që ndryshe njihet edhe si ‘zona e barazhit’.

Prishtina në ndeshjen e parë e kishte mposhtur me lehtësi Lirinë në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.

Trepça 89’ do ta presë në stadiumin “Riza Lushta”, Dritën.

Mitrovicasit xhiron e kaluar u befasuan nga Ferizaj, duke u mposhtur me rezultat 2-0, dhe falë humbjes ranë në pozitën e nëntë e cila i dërgon në barazh.

Fitorja për ish-kampionët e Kosovës në këtë ndeshje do të jetë jetike në luftën për mbijetesë, pasi në rast se humbasin përsëri do të mbesin përsëri në këtë pozitë.

E Kampioni i Kosovës në këtë ndeshje vjen e motivuar pas fitores ndaj rivalit lokal Gjilanit.

Djelmoshat e Ardian Nuhiut do të kërkojnë që ta vazhdojnë serinë e fitoreve edhe në këtë ndeshje dhe ta rikthejnë krenarinë në klub dhe të tifozët.

Drita momentalisht pozicionohet në vendin e pestë me 26 pikë.