2018, viti kur sportistët ngrenë shumë lartë flamurin e Kosovës (Foto)

Nëse përmendet sporti në Kosovë, atëherë të gjithë janë krenarë me të arriturat e sportistëve tanë në të gjitha garat.

Futbolli në vitin 2018 na solli kampionin e ri pas 15 viteve.

FC Drita u shpall kampion me 65 pikë pas 33 xhirove. Nga 33 ndeshje, gjilanasit kishin shënuar 18 fitore, 13 barazime dhe vetëm dy humbje.

Interesante ishte se titullin mund ta humbnin në xhiron e fundit ndaj përcjellëses së parë, Prishtinës, por ai takim përfundoi pa gola 0-0, pasi në rast humbje me rezultat prej 2-0, titulli do t’u takonte “bardhekaltërve” të Prishtinës.

Me t’u shpallur kampion, gjilanasit festuan shumë dhe nga festat e tyre t’i kujtonin fansat e ekipeve më të zjarrta në Europë dhe  Amerikën Latine.

Drita e shkruajti historinë duke e mposhtur Lincolnin me rezultat 4-1, në ndeshjen parakualifikuse për Ligën e Kampionëve.

Eliminimi i Dritës në Ligën e Kampionëve erdhi nga një skuadër elitare e me histori si Malmo e Suedisë.

Gjilanasit u eliminuan nga Dudelange e Luksemburgut në Europa League, pasi në ndeshjen e parë kishin humbur me rezultat 2:1, e të dytën në Mitrovicë barazuan 1-1.

Për “Intelektualët”, nuk mbaroi gjithçka në vitin 2018, pasi e fituan Superkupën e Kosovës, ndaj Prishtinës me 14 gusht me rezultat 2-1.

Festa pas fitores – Foto: Atdhe Mulla

Pra, viti 2018 në futbollin kosovar në tërësi i takoi Dritës.

Pa dyshim që xhudo është sporti me më së shumti suksese për Kosovën në botë.

Shkaku i xhudisteve, himni i Kosovës u intonua e flamuri u nderua edhe në shtete që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, si Rusia, Spanja.

Sportistët e Xhudos në vitin 2018 në të gjitha kategoritë i fituan 26 medalje.

13 medalje të arta, 10 të argjendta dhe 3 të bronzta, ndërsa njëherë kanë përfunduar në vendin e pestë dhe pesë herë në vendin e shtatë.

Medaljet e xhudistëve për vitin 2018

Majlinda Kelmendi arriti që t’u rikthehet medaljeve të arta në Grand Prix “Tashkent 2018”, në Uzbekistan, duke e mposhtur në finale xhudisten nga Zvicra, Evelyne Tschopp.

Se Kosova është lider në xhudo këtë e vërtetoi edhe në kompeticionin “Tashkent Grand Prix 2018”, që u mbajt në Uzbekistan, ku Kosova u rendit e para në këtë garë, duke i rrëmbyer tri medalje të arta dhe një të argjendtë.

Distria Krasniqi vitin 2018 e mbylli me sukses maksimal, pasi në garën “World Judo Master” në Guangzhou të Kinës, e rrëmbeu vendin e parë duke e mposhtur kundërshtaren e saj për vetëm 16 sekonda.

Distria Krasniqi – Foto: KALLXO.com

Kështu, Distria e fitoi medaljen e artë për kategorinë deri në 52 kilogramë.

Xhudos në Kosovë me medalje të arta në këtë vit iu shtua edhe xhudistja e re, Loriana Kuka, e cila e fitoi medaljen e artë në “Grand Prix” në Tashkent të Uzbekistanit.

Spanja ishte e detyruar që ta ngrejë lartë flamurin e Kosovës, në Lojërat e 18-ta Mesdhetare në “Tarragona 2018”, ku Distria Krasniqi (-52 kilogramë), Nora Gjakova (-57 kg) dhe  Akil Gjakova (-73 kg) fituan medaljet e arta, kurse Loriana Kuka (-78 kg) të argjendtën.

Akil Gjakova e mbylli suksesshëm vitin 2018 duke e rrëmbyer medaljen e artë në Kampionatin Europian U-23 që u mbajt në Gyor të Hungarisë, duke e mposhtur me Ippon Rufat Mamadov të Azerbajxhanit.

Akil Gjakova pas momentit të fitores

Epiteti i më të mirit në basketboll në vitin 2018 i takoi KB Bashkimit nga Prizreni, pasi u shpall kampion i Kosovës, për herë të parë në histori të klubit, duke e mposhtur Prishtinën në  finale të “Play Off-it”.

Ndërsa fituese e Kupës ishte Prishtina, duke e mposhtur Bashkimin me rezultat 77:44.

Me 11 tetor të vitit 2017, u tërheq shorti për Ligën e Kombeve, ku Kosova u radhit në Ligën D, të fundit, ne Grupin 3, me Azerbejxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.

Entuziazmi  dhe optimizmi nuk mungonte se Kosova do të dalë e para në këtë grup me trajnerin e ri Bernard Challandes.

E ashtu ndodhi, “Dardanët” ia dolën me shumë meritë të dalin triumfues në Grupin 3, ku nga 6 ndeshje i fituan katër ndeshje, dy barazime dhe asnjë humbje.

Kualifikimet i mbyllën në mënyrën më të mirë më 20 nëntor, e mposhtën Azerbajxhanin me rezultat 4-0, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Kosova doli e para në Ligën e Kombeve sa i përket shënimit të golave me sulmin më të mirë me 15 gola, por edhe mbrojtja ishte e çeliktë, ku i pranuan vetëm dy gola.

Pasi doli e para në Grupin 3 të Ligës D, Kosova është ngritur për një grup, pra do të luajë në Ligën C.

Pas përfundimit të kualifikimeve të rregullta që do të mbahen në vitin 2019, për Europianin 2020, Kosova do ta ketë edhe një mundësi tjetër që të kualifikohet në Europian, përmes fazës së “Play – Offit”, ku do të luajë me Maqedoninë në gjysmë finale të Ligës D, në mars të vitit 2020.

Pra, për vitin 2018, Kombëtarja e Kosovës ishte e mrekullueshme duke e mbyllur vitin pa asnjë humbje, duke përngjarë me kombëtare si Brazili, Franca e Argjentina, me futbollin e bukur që e treguan.

9 qershori  i vitit 2018 ishte i kobshëm për të gjithë Kosovën, pasi vdiq legjenda e futbollit kosovar dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vdekja e Vokrrit i trishtoi të gjithë, pasi mbetet njëri prej figurave më të admiruara në Kosovë dhe jo vetëm, pasi ishte ai që punoi për futbollin kosovar deri më sot, duke arritur që Kosova të pranohet në UEFA e FIFA.

Vokrri vdiq në moshën 57 vjeçare.

Tifozëria “Dardanët’ në përkujtim të Fadil Vokrrit, në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe, në minutën e 9-të

Lajmet e këqija në muajin qershor nuk u ndalën.

Rprezentuesi i Kosovës në Basketboll, Gazmend Sinani, kishte mbetur i vdekur në një aksident trafiku në natën e 23 qershorit të vitit 2018.

Basketbollisti Sinani ishte 27-vjeçar. Pasi ka luajtur për grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e ka vazhduar në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës në basketboll.

Kombëtarja e Kosovës U-18  u shpall kampion i Europës në Divizionin C, pas fitores historike ndaj Qipros.

Kampionati Europian FIBA U-18, Divizioni C, ka filluar me 22 korrik dhe përfundoi me 29 korrik në Prishtinë me ceremoninë mbyllëse pas ndeshjes finale.

Skuadra kampione në Divizionin C që është Kosova U-18, nga viti 2019 do të bëjë gara në Divizionin B.