Isa Mustafa, kryetar i LDK-se

Mustafa: Vota e Teuta Rugovës i Takon Partisë së Ibrahim Rugovës

Kreu i Lidhjes Demokratike i është kthyer sërish seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, gjatë të cilës u zgjodhën kryetari dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Duke theksuar se asnjë votë e LDK-së dhe Alternativës nuk i shkoi Koalicionit të PDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kanë dëshmuar zotimin se nuk do të bëhen me ata që rrënuan qeverisjen me shumicë shqiptare, “për ta shndërruar Kosovën në varësi nga votat që dirigjohen nga Serbia”.

“Koalicioni i PDK-së nuk e mori edhe votën e shumëpritur të deputetes Rugova. Vota e saj i takon partisë së Ibrahim Rugovës. Jo atyre që punojnë me logjikë të SHIK-ut, tregtarëve, pazargjijve e tabutgjijve”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Sa i përket mundësisë që koalicioni që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e 11 qershorit ta formojë Qeverinë, Isa Mustafa ka deklaruar se në qoftë se qeverisin me logjikën si i kanë konstruktuar koalicionet, “frikësohem se më shumë nga koalicionistët e PAN-it ta do të kenë zyret në qelitë e burgjeve të Kosovës, sesa në Parlament dhe në Qeveri”.

“Disa nuk e kanë marrë vesh se kohët kanë ndryshuar”, ka shkruar ai.

Në një postim të mëhershëm, kreu i LDK-së shkroi se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria po konstituohen vetëm pas koncesioneve dhe ashtu siç e dikton Lista Serbe me bekimin e Beogradit.

Ndryshe, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar për kryeparlamentarin dhe zëvendësit e tij. Me 62 vota për dhe 52 kundër kandidati i koalicionit PAN, Kadri Veseli, është rizgjedhur kryetar i Kuvendit.

http://kallxo.com/kadri-veseli-zgjedhet-kryetar-kuvendit/