Murat Meha

Murat Mehës i përfundon mandati në Agjencinë Kadastrale

Njëri prej njerëzve më të përfolur në Kosovë këto 3 vitet e fundit ka qenë Murat Meha, kryetar i Komisionit për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Murat Meha, përvec që drejtonte këtë komision, kishte qenë edhe kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Mirëpo, që nga 8 korriku i këtij viti, Meha nuk do e drejtoj më këtë Agjenci, pasi që të njëjtit i ka kaluar mandati.

Këtë e kanë e bërë të ditur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi që kjo Agjenci vepron nën kuadër të këtij dikasteri ministror.

Në vend të tij, ministrja Reshitaj ka emëruar Avni Ahmeti si ushtrues detyre.

“Me vendimin  të ministres së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, me Numër Protokolli 3967/18 të datës 09.07.2018, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës është caktuar z. Avni Ahmeti me të drejta të plota deri në një vendim tjetër”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë për KALLXO.com

Për pozitën e kreyshefit, duhet hapur konkurs dhe për këtë përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Administratës Publike, e cila do të merret me konkursin dhe rekrutimin e kryshefit të ri të Agjencisë.

Sipas MMPH-së, kjo Agjenci do të vazhdojë punën pa asnjë pengesë edhe pse është pa kryeshef, por vetëm me ushtrues detyre.

“Njëkohësisht ju vëjmë në dijeni se pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës,  ka të drejta të plota me ato të kryeshefit, andaj AKK-ja do të vazhdojë e pa penguar të ushtrojë detyrat  dhe  kompetencat komform mandatit për të cilin është ngarkuar”, thuhet në mes tjerash në përgjigjet e Ministrisë për KALLXO.com

Murat Meha ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit menjëherë kur Ramush Haradinaj erdhi në krye të Qeverisë, duke u zëvendësuar nga ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi.

Demarkacioni me Malin e Zi u votua në Kuvendin e Kosovës në muajin në mars të këtij viti. Raporti i Komisionit të Mehës ishte votuar nga deputetët të bashkangjitur edhe me raportin e komisionit të ri dhe marrëveshjen e presidentëve të të dyja vendeve për rishikimin e gabimeve të mundshme në caktimin e këtij kufiri.

Demarkacioni kishte qenë njëri nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave.

Sot, Kosova pritet të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave nga ana e Komisionit Evropian.