Murat Meha

Dënohen me burg me kusht Murat dhe Miradije Meha

Gjykata e Prishtinës ka dënuar sot Miradije Mehën dhe Murat Mehën me nga 6 muaj burgim me kusht dhe me 1,000 euro, respektivisht 800 euro gjobë.

Miradije Meha, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe Murat Meha, ish-kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, u dënuan nga Gjykata për deklarim të pasaktë të pasurisë.

Të akuzuarit u dënuan me nga 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti, tha për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Përveç dënimit me 6 muaj burgim me kusht, e akuzuara Miradije Meha u dënua me 1 mijë euro gjobë, ndërsa i akuzuari Murat Meha u dënua me 800 euro gjobë.

Prokuroria në Prishtinë ngarkonte Miradije dhe Murat Mehën për mosraportim të saktë të pasurisë.