Barazia gjinore: Rreth 126 mijë prona në emër të grave në Kosovë

Në Kosovë çdo vit po shumëfishohet numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, kurse deri tani në vendin tonë 126 mijë prona janë regjistruar në emër të grave.

Nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, kanë bërë të ditur për Telegrafin se, duke përfshirë pronësitë individuale dhe ato që i kanë në bashkëpronësi, numri i pronave të regjistruara në emër të grave në Kosovë është mbi 138 mijë sosh.

Numri i njësive kadastrale të regjistruara me të drejtën e pronës apo posedim i përbashkët në Kosovë tani është 12 mijë e 158, teksa vetëm rreth një vit më parë ky numër nuk arrinte as 8 mijëshin.

Sipas statistikave që Telegrafi kishte siguruar nga AKK-ja në dhjetor të vitit 2020, ishin 7 mijë e 417 prona në Kosovë të regjistruara si prona të përbashkëta të bashkëshortëve.

Ndërkaq ky numër është rritur dukshëm gjatë vitit 2021, ose më saktësisht është rritur për 4 mijë e 741 prona më shumë në shkurt të vitit 2022, sesa që ishin në dhjetor të 2020.

“Deri me tani në tërë territorin e Republikës së Kosovës kemi 12.158 njësi kadastrale të regjistruara me të drejtën Pronë/Posedim i përbashkët dhe kemi 138.600 prona në emër të grave, me të gjitha llojet e të drejtave. (Përfshi pronësi individuale, bashkëpronësi etj)”, thuhet në përgjigjen që Agjencia Kadastrale e Kosovës ka dhënë për Telegrafin. /Telegrafi.com/