Murat Meha

4 vjet pas votimit në Kuvend, Murat Meha flet për demarkacionin me Malin e Zi

Rreth 2 mijë ditë diskutime, pothuajse të përditshme i kushtuan opinionit publik kosovarë mbi marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, derisa u ratifikua në Kuvendin e Kosovës.

4 vjet më parë, më 21 mars 2018, Kuvendi i Kosovës me 2/3 e ratifikoi marrëveshjen e demarkacionit Kosovë – Mali i Zi.

Për disa vite, partitë e atëhershme opozitare, LVV, AAK e Nisma kishin kundërshtuar edhe brenda Kuvendit të Kosovës por edhe jashtë saj, me metoda të ndryshme, si hedhja e gazit lotsjellës, duke mos lejuar votimin e marrëveshjes brenda Kuvendit.

Njeriu më i komentuar i asaj Murat Meha, që kishte qenë kryesues i Komisionit qeveritar për shënimin e kufirit me Malin e Zi, 4 vjet pas kalimit të marrëveshjes që e kishte bërë ai, ka folur shkurtimisht për KALLXO.com, duke e quajtur punën e komisionin që ai e ka udhëhequr si “punë e shkëlqyer”.

“Për atëherë si komision shtetëror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është bërë një punë e shkëlqyeshme e cila është aprovuar edhe në Kuvend të Kosovës”, tha Meha për KALLXO.com.

Sipas tij, ratifikimi i vonshëm i kësaj marrëveshje i ka kushtuar qytetarwe tw vendit me mos liberalizim të vizave.

“Me vonesë është aprovuar, për këtë arsye jemi edhe në mungesë të vizave. Gjithë qytetarët janë duke pësuar për shkak të asaj vonese, tjetër nuk kam çka them as në emër të komisionit as në emër timin”, tha Meha.

Më 21 mars 2018, pas një seance me tensione, gaz lotsjellës e masa të shtuara të sigurisë, në Kuvend u arrit që me 80 vota për 11 kundër dhe asnjë abstenim të ratifikohet Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ky proces zgjati rreth tri vjet pasi në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë u nënshkrua kjo marrëveshje ndërsa në mars 2018 u ratifikua.

Në atë kohë, ministri i jashtëm, Hashim Thaçi së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hysenin kishin nënshkruar marrëveshjen.

11 shtator 2017, kur shef i Qeverisë së Kosovës ishte Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e parë të Qeverisë e kishte shkarkuar kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Murat Mehën.

Ai po në të njëjtën ditë e kishte njoftuar kabinetin qeveritar se ka kërkuar që këtë komision ta udhëheq, Shpetim Bulliqi.

Të gjitha lajmet për Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi mund ti shihni në këtë LINK

Mijëra Ditë Diskutime për Demarkacionin