Foto: Kallxo.com

Mungojnë dy të akuzuar, dështon gjykimi për kontrabandë me emigrantë

Dy të akuzuar për krim të organizuar munguan sot në seancën e shqyrtimit gjyqësor dhe kjo e pamundësoi mbajtjen e kësaj seance.

Trupi gjykues në përbërje të gjyqtarëve Nushe Mekaj, Mustafë Tahiri dhe Lutfi Shala, pasi konstatuan mungesat e të akuzuarve Shani Sahitaj dhe Hamza Berishës, në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës vendosën ta shtyjnë seancën.

Në bazë të aktakuzës të cilën e përfaqëson Prokurori Special Haki Gecaj, për krim të organizuar akuzohen Shani Sahitaj, Bejtullah Bytyqi, Sefedin Bezeraj, Lulëzim Bajrami, Bashkim Vladi, Premton Harxhi, Musaj Krasniqi, Emrush Gashi.

Prokuroria pretendon së të akuzuarit nga viti 2012 e deri në ditën e arrestimit kanë vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar kriminal duke kontrabanduar emigrantë, shtetas të Republikës së Kosovës, përmes kompanive të ndryshme turistike drejt vendeve të bashkimit Europian.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit më qëllim që të dërgojnë persona drejt vendeve europiane kanë marrë shuma të ndryshme parash.

Aktakuza thotë se në krye të këtij grupi qëndronte Shani Sahitaj.

Në aktakuzë përshkruhet se detyra për rregullimin e dokumenteve i përkiste Premton Harxhit, ndërsa Musaj Krasniqi, Bejtullah Bytyqi, Shani Sahitaj ksihin për detyrë të gjenin klientët e interesuar për të emigruar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Bejtullah Bytyqi, Musaj Krasniqi, Sefedin Bezeraj, Shani Sahitaj dhe Destan Bytyqi akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa ndaj këtij të fundit procedura është veçuar.

Seancat e radhës janë caktuar më 9 dhe 10 janar 2019.

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’