Ministri Bytyqi i gatshëm të rrisë numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në UP

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytqi thotë se është duke shikuar mundësitë ligjorë që ia mundësoj në rritjen e numrit për regjistrimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin e ri akademik 2019/2020.

Ai ka bërë të ditur se rreth kësaj cështje sot është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Suzana Manxhuka-Kërliu.

“Shpreha gatishmëri që kjo kërkesë të realizohet për faktin se është një politikë me interes nacional dhe në funksion të kësaj MASHT është duke marrë veprimet e nevojshme, duke parë të gjitha mundësitë ligjore që kjo kërkesë të jetësohet, gjithnjë duke u bazuar edhe në vendimet e AKA-së.”, ka thënë ai

Tutje ministri Bytyqi theksoi se bashkë me ministrin Ismaili, vlerësuan se është e nevojshme që të rritet numri i studentëve, në mënyrë që të përmbushen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për shërbime mjekësore.