Ministri rrit numrin e studentëve të Mjekësisë në UP, KShC e quan intervenim politik

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka miratuar kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, për vitin akademik 2019/2020 në nivelin Bachelor. Këtë vendim e ka kritikuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë duke e quajtur ndërhyrje politike.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, mund të shihet se rritja e numrit të studentëve ka ndodhur për dy programe studimore.

“Mjekësi e përgjithshme, prej 150 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 75 studentë të rinj; Infermieri prej 50 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 59 studentë të rinj”, thuhet në vendimin e ministrit Bytyqi.

Në arsyetim thuhet se ky vendim është marrë duke u bazuar në kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës, për rritjen e numrit të studentëve të rinj në këto dy degë, si dhe në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e numrit të studentëve të rinj, duke u bazuar në gjendjen dhe nevojat aktuale.

Vendimi i ministrit të Arsimit, për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë në UP

Nënkryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Vjollca Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se vendimi i ministrit për rritjen e numrit të studentëve, është ndërhyrje politike.

Ajo ka deklaruar se e vetmja mënyrë për rritjen e numrit të studentëve, është përmes rekomandimit nga raporti i ekspertëve.

“Kjo është ndërhyrje politike e ministrit në punën e KShC-së, KShC e ka diskutuar këtë kërkesën në mbledhjen e 15 korrikut, dhe ka marrë vendim që të sjellë ekipin e ekspertëve për të vlerësuar programin dhe kërkesën për rritjen e numrit të studentëve, pasi që një vendim i tillë merret vetëm në bazë të raportit të ekspertëve. Me këtë vendim, ministri e ka tejkaluar Këshillin Shtetëror të Cilësisë si institucion i vetëm legjitim për akreditim dhe sigurim të cilësisë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Me 9 korrik të këtij viti, ministri Bytyqi kishte takuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Suzana Manxhuka-Kërliu, për të diskutuar kërkesën e tyre për rritjen e numrit të studentëve në dy programe studimore.

“Shpreha gatishmëri që kjo kërkesë të realizohet për faktin se është një politikë me interes nacional dhe në funksion të kësaj MASHT është duke marrë veprimet e nevojshme, duke parë të gjitha mundësitë ligjore që kjo kërkesë të jetësohet, gjithnjë duke u bazuar edhe në vendimet e AKA-së.”, kishte thënë ministri i Arsimit.

KALLXO.com ka kontaktuar me ministrin, Shyqiri Bytyqi për ta pyetur rreth këtij vendimi dhe pretendimeve të KShC-së për tejkalim kompetencash, mirëpo nuk kemi pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.