Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi

"Borgji" që ministri i Arsimit ia ka Gjuhës Shqipe

Ministri i Arsimit i Qeverisë në largim, Shyqiri Bytyqi, përmes një publikimi në Facebook sot ka ftuar të tjerët që t’i bashkohen Partisë Socialdemokrate.

Thirrjen për mobilizim dhe bashkim për “një shtet të së drejtës mbi themelet e një drejtësie sociale”, Bytyqi e ka shoqëruar me disa gabime drejtshkrimore dhe teknike.

Që në fjalinë e dytë Bytyqi ka gabuar në shkrimin e fjalës “borxh”- “borxhi”.

 

Sipas rregullave drejtshkrimore, bashkëtingëlloret e zëshme ku bën pjesë edhe bashkëtingëllorja “xh” shkruhen si të tilla, ashtu siç shqiptohen kur janë përpara një zanoreje, edhe kur gjenden në fund të fjalës ose në trup të saj përpara një bashkëtingëlloreje të shurdhët a përpara bashkëtingëllores n.

Po ashtu, në publikimin e Bytyqit edhe fjalë të tjera janë të shkruara gabimisht, qoftë teknikisht qoftë ana ana drejtshkrimore e gjuhës së njësuar.

“Të qënit”, “kontribon”, “detreminojnë”, “Patrinë” e gabime të tjera edhe logjike.

Publikimi i plotë i Bytyqit:

“Miq të mirë, mbështetës të rrugëtimit tim politik, opinion i gjerë, ditët që lamë pas sikur jeni në dijeni, unë u largova nga ish rreshtimi im politik NISMA SOCIALDEMOKRATE ndikuar nga rrethana që i pata sqaruar në dorëheqjen time publike!

Të qenit aktiv është borgji që ia kemi vendit e gjeneratave.

Duke ditur se vendi ynë ia ka nevojën secilit që kontribon në mëkëmbjen e tij, dhe duke qenë i bindur se ndryshe nuk mund t‘u bashkohemi perëndimit dhe standardeve që aspirojmë, të qënit aktiv është premisa e parë për të arritur aspiratat tona!

Bazuar në premisën e të qënit aktiv dhe parimeve që detreminojnë drejtësinë sociale të cilat janë edhe bindja ime, unë nga sot i jam bashkuar Partisë Socialdemokrate (PSD).

Rirreshtimet në vetvete vijnë me histori të bujshme për të cilat thuren histori të hipotezuara të nduarnduarshme! Kjo imja jam përpjekur të mbetet në suazat e detyrës qytetare. Detyrë të cilën e kemi të gjithë “të qënit aktiv“.

Ftoj të na bashkohen të gjithë ata që këtë detyrë qytetare e shohin në rrugëtim me mua dhe mesin ku kam milituar Patrinë Socialdemokrate!

Shteti i së drejtës mbi themelet e një drejtësie sociale është rruga që unë shoh si të ardhmen e vendit.

Andaj edhe një herë miq e opinion i nderuar kushdo që ndanë këto vlera dhe beson në këto parime ju ftoj të na bashkoheni!”