Kryeministri Haradinaj dhe deputetët e LDK-së - Foto: Atdhe Mulla

Matoshi: Nuk Është Hiç Çudi që LDK e GDP t’i Bashkohen Koalicionit

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Halil Matoshi ka folur në “Click” të Rtv21 për daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës dhe mundësinë që këtij koalicioni t’i bashkohen disa parti tjera.

Matoshi nuk e përjashtoi mundësinë që koalicionit t’i bashkohen LDK-ja dhe GDP.

“Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e deri me sot nuk e kemi një situatë të ngjashme. Kanë ndryshuar rrethanat dhe me ndryshim e rrethanave ndryshojnë edhe kontekstet mund të ndryshojnë edhe raportet e forcave brenda shoqërisë kosovare dhe nuk është hiç çudi dhe diçka e jashtëzakonshme që LDK dhe GDP mund t’i bashkëngjiten qeverisjes”, tha Matoshi, shkruan rtv21.tv.

Këshilltari politik tutje tha se nëse këto dy parti bashkohen më koalicionin atëherë krijohet një shumicë shqiptare në qeverisje dhe kështu kompensohet kolaterali që mund t’ia shkaktojë dalja eventuale e Listës Serbe nga koalicioni.

Matoshi në fund tha se ende nuk iu kanë bërë ofertë këtyre dy partive që t’i bashkohen koalicionit qeverisës mirëpo nuk përjashtohet kjo mundësi.

Ndryshe Lista Serbe ka marr vendim të mos jetë më pjesë e Qeverisë Haradinaj.

Ky vendim i tyre ka ardhur si pasojë e zhvillimet të djeshme në veri të vendit ku u arrestua drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq nga Policia e Kosovës./21Media